TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Gusht 2023, 17:22

Fusha e mbetjeve urbane në Kukës e 'pushtuar' nga flakët, banorët: Nuk mbushemi dot me frymë

Shkruar nga Pamfleti

Fusha e mbetjeve urbane në Kukës e 'pushtuar' nga

Prej 17 ditësh, vatrat e zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane vazhdojnë të jenë aktive. Banorët e këtyre zonave thonë se jetesa është bërë e padurueshme.

Në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane që ndodhet në fshatin Myc-Mamzës, flakët janë shuar por plehrat vijojnë të digjen në brendësi, duke krijuar tymin toksik që mbulon qytetin e Kukësit dhe fshatrat përreth.

Shefi i Shërbimit Zjarrfikës Gafurr Rexha tha se thellësia e mbeturinave që po digjen shkon deri në 10 metra, çka është e vështirë të shuhet me ujë.

“Është shfaqur vatra e zjarrit që me datë 10 gusht dhe është aktive akoma. Falë ndërhyrjes së zjarrfikëses u bë e mundur lokalizimi, pra që të mos përhapet në zonën pyjore. Unë që në fillim kam thënë se duhen hedhur dhera (inerte). Bashkia ka pak ditë që ka nis hedhjen e dherave. Ne kemi ndërhyrë here pas here por është e pamundur të shuhet me ujë sepse thellësia shkon nga 7 deri në 10 metra dhe aty ndodhin disa reaksione kimike. Izolimi i plotë mund të bëhet vetëm me atë të mbulimit me dhera”, tha Gafurr Rexha, shefi i shërbimit zjarrfikës të bashkisë Kukës.

Ndotja e ajrit është alarmante! Banorët ankohen se kanë shfaqur probleme shëndetësore për shkak të tymit.

“Këto mbeturina na kanë shkatërruar jetën. Po bëhen më shumë se 10 ditë që s’po marrim dot frymë. Bashkia duhet ta shuajë zjarrin, po vuajnë njerëzit nga frymëmarrja. Sidomos fëmijët e pleqtë. Era m** i vjen gjithë Kukësit”, tha qytetari.

“Tymi është i tmerrshëm, mjegull komplet. Erë e rëndë shumë. S’kemi çfarë bëjmë vetëm me lënë shtëpitë e me u shpërngul nga këtu" u shpreh ai.

Vatra e zjarrit u shfaq me 10 gusht në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane të bashkisë Kukës por policia ende nuk ka identifikuar zjarrvënësin.

 

mbetje urbane kukes flake

Lini një Përgjigje