
Gazetari Erl Murati ka komentuar protestën e opozitës, i cili tha se pjesëmarrja ishte më e vogël se dy protestat e mëparshme që ka zhvilluar opozita.
Murati tha se nëse ka pakënaqësi popullore, atëherë qytetarët duhet të derdhen në shesh, pavarësisht temperaturave të larta.
Ai shprehet se ka njëlloj frustrimi në radhët e opozitës. Murati vijon duke thënë se fjalimet e Berishës dhe Metës janë një strategji jo e dobishme pasi ngatërrojnë shënjestrën e opozitës.
“Janë disa rrethana apo faktorë që ndikojnë që qytetarët nuk derdhen në shesh”, tha Murati, duke e lidhur këtë me zhvillimet që opozita ka pasur në vitet e fundit.
Gazetari u shpreh se Rama është në fund të mandatit të 3-të dhe të gjitha sondazhet paraprake tregojnë se do të marrë edhe një mandat të katërt, duke e renditur si një nga arsyet që frustron opozitën dhe mbështetësit e saj.
“Në këtë vend kemi një tkurrje të zërave kritikë që mund të flasin për abuzimet me ligjin, gjithmonë e më pak gjen gazetarë kurajozë që të denoncojnë aferat. Shoqëria jo më kot ka nisur të konformohet.
Fjalimet e oratorëve, Sali Berishës dhe Ilir Metës, mendoj se është një strategji jo e dobishme diversifikimi i shënjestrave. Berisha dhe Meta nuk duan të jenë prokurorë të SPAK as kryebashkiakë, ndaj shënjestra e tyre duhet të jetë Kryeministri.
Fjalimet e tyre na bëjnë për të kuptuar se kemi 2 PD, nuk kam parasysh këtu dy logo, por për dy qëndrime të ndryshme në raport me drejtësinë. Kemi Berishën dhe Metën që kanë qëndrime të forta kundër drejtësisë së re, SPAK dhe Dumanit, dhe një qëndrim më të moderuar, sikundër është ai që shfaq Gazment Bardhi”, tha Murati për “News 24”.
Lini një Përgjigje