
Akademiku Artan Fuga ka zbërthyer me detja mekanizmin që qeveria ka ngritur për të mbajtur nën kontroll vendin. I ftuar në emsionin “Të Pashoq” në kanalin në Youtube të “Pamfletit”, Fuga theksoi se suksesi i qeverisë aktuale nuk duhet parë si një çështje fati, por si rezultat i një strategjie të mirëkalkuluar që synon mbajtjen e opozitës dhe qytetarëve në një gjendje pasiviteti. Sipas tij, forca në pushtet zbaton një sërë mekanizmash të sofistikuar për të ruajtur status-quo-në dhe për të garantuar vazhdimësinë e saj.
Një nga shtyllat e kësaj strategjie, Fuga shpjegon se është kontrolli burokratik dhe administrativ. Si shembull përmendet procesi i regjistrimit të studentëve në universitete, i cili kontrollohet në mënyrë të centralizuar nga portalet e ministrisë. Ky mekanizëm shihet si një mjet për të mbajtur nën kontroll fatin e të rinjve dhe familjeve të tyre, duke e transferuar fuqinë nga institucionet autonome akademike te administrata qendrore.
Më tej Akademiku thekson se një tjetër element thelbësor është orientimi i kapitalit intelektual larg problemeve të vendit. Sistemi i kualifikimeve shkencore dhe akademike inkurajon botimet jashtë Shqipërisë si kusht për marrjen e gradave, në vend që të stimulojë kërkimin shkencor për zgjidhjen e sfidave kombëtare. Në këtë mënyrë, intelektualët dhe elita akademike largohen nga kontributi direkt për zhvillimin e vendit, duke neutralizuar një zë kritik dhe propozues.
Strategjia Sipas Fugës shtrihet edhe në nivelin e qeverisjes vendore. Përmes organizimit të pushtetit lokal dhe planeve urbane, pretendohet se shuhen të gjitha sensibilitetet politike të ndryshme nëpër komuna. Kjo krijon një realitet ku qarqe të tëra dominohen nga një ngjyrë e vetme politike, duke përjashtuar zërat alternativë dhe duke përqendruar privilegjet tek një grup i vogël.
Përveç mekanizmave të brendshëm, një rol të rëndësishëm luan edhe qëndrimi i faktorit ndërkombëtar, i cili sipas Fugës nuk ka ndryshuar gjatë viteve të fundit.
Pjesë nga Intervista:
-Për të gjithë sa folëm, çdo qeveri do të ishte me shumë fat?
Artan Fuga: Unë nuk mendoj se është çështje fati. Unë mendoj se, ëh, jo vetëm qeveria, po partia në pushtet, forca në pushtet, mos të them dhe partia, ata që qeverisin, unë mendoj se këto analiza i bëjnë. I bëjnë. Dhe në një farë mënyre ecin me ato hapa dhe me ato ritme dhe me ato strategji që këtë gjendje që e mban opozitën në inaktivitet, edhe qytetarin në inaktivitet, ta zhvillojnë, ta mbajnë të status quo-së. Për shembull, unë s'e kuptoj dot as sot pse për t'u regjistruar një student në universitet, duhet të kalojë nëpërmjet portaleve të ministrisë, që s'kam kuptuar asnjëherë. Ndërkohë që universitetet duan studentë. Përgjigja ime? Është për ta mbajtur fatin e fëmijës së shtëpisë në duart e administratës. Edhe një po, më fal. Po.
- Merr kualifikimin e pedagogëve apo kërkuesve shkencorë.
Artan Fuga: Në kriteret që kërkohen nuk është t'i japin kontribut për zgjidhjen e problemeve të vendit. Mund t'i marrësh gradat duke botuar jashtë. Dhe të gjithë botojnë jashtë për të marrë gradat. Askush nuk thotë, do të marrësh gradën shkencore në qoftë se do japësh një kontribut për vendin. Ja ku e drejtove intelektualizmin. Ja ku i drejtove studentët, ja ku i drejtove familjet. Kështu me tenderat, kështu me organizimin e pushtetit lokal. Pushteti lokal është i ndërtuar në atë mënyrë që të gjitha sensibilitetet politike të komunave të shuhen përpara një mase urbane ku janë midis të shtypurve, të shfrytëzuarve, ata që kanë pak, si të themi, privilegje më tepër, se mund t'i quhet. Që do të thotë një qark i tërë dominohet nga një sensibilitet politik. Pra nuk është me fat kjo qeveria. Është me një strategji për ta mbajtur këtë status quo. Kjo është analiza, s'ka nevojë tjetër. Nuk ka nevojë, unë nuk e di a vidhen votat, s'vidhen votat, nuk e di, s'jam marrë me këtë punë. Po s'kam nevojë të hyj këtu. Mjafton të analizoj mënyrën se si organizohet pushteti administrativ, lokal, si jepen tendrat, si janë politikat ekonomike, si është situata e emigracionit, si janë të lidhura të drejtat individuale me inaktivizmin, inaktivizmin politik, unë e di si do të dalë rezultati. Mua kjo analizë më duhet. Në qoftë se dëgjoj dy njerëz, tre njerëz, pesë njerëz që kam respekt, i dua, dua të jenë sa më mirë, që tërë ditën më thonë, na vodhën, na vodhën, na vodhën, unë them, këta e kanë seriozisht apo nuk janë në gjendje dot të analizojnë gjëra të tjera.
- Tani, nga intervista jonë e fundit para kësaj, që daton para rreth dy viteve, unë ju kam pyetur edhe për qasjen e ndërkombëtarëve ndaj nesh e të tjera e të tjera. Që në atë kohë deri tani ka ndryshuar gjë në këtë drejtim?
Artan Fuga: Do më vinte turp të thosha që janë verifikuar ato që të kam thënë. Po unë këtë mendim kam. Janë verifikuar.
- Sepse është një pjesë e rëndësishme që ne rrimë me sytë nga e ashtuquajtura bota për ne. Interpretojmë çdo lëvizje qoftë dhe e ndëdheshme dhe e padukshme fare të tyre në funksion të gjithçkaje ndodh këtu me gjithçkaje me këdo. Sigurisht për politikën e kam fjalën.
Artan Fuga: Është historia e, është, është historia e Shqipërisë kjo, s'është kështu. Domethënë, çfarë u desh për t'u shpërbërë opozita si në gjendjen që është sot? Një fjali që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kaq.
-Jo, s'doja të përsërisja pyetjen e para dy viteve dhe po të them ka ndryshuar gjë që prej asaj kohe?
Artan Fuga: E di, po ndoshta audienca juaj nuk e di se çfarë kemi biseduar. Jo nuk ka ndryshuar. Po në qoftë se kjo mjafton, unë them nuk ka mjaft, kjo nuk ka ndryshuar asgjë.
Lini një Përgjigje