TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet12 Maj 2026, 19:55

“Çfarë tragjedie", Kokalari: Robert Ndrenikës i bënë gjyq publik, ndërsa Berishën e ngrenë në qiell

Shkruar nga Pamfleti

“Çfarë tragjedie", Kokalari: Robert Ndrenikës i

Evi Kokalari ka reaguar ashpër ndaj kritikave dhe sulmeve publike që po i bëhen aktorit të njohur Robert Ndrenika.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kokalari e cilëson të padrejtë mënyrën se si po trajtohet një prej figurave më të rëndësishme të artit shqiptar, duke theksuar se klima e urrejtjes politike në vend ka depërtuar tashmë edhe në botën e artistëve.

Kokalari ndalet edhe te debati për Teatrin Kombëtar, ku shprehet se një pjesë e madhe e protestuesve ishin të motivuar politikisht dhe jo të lidhur emocionalisht me godinën apo historinë e saj. Ajo pranon se godina e teatrit kishte nevojë për ndërhyrje, por shton se objekti duhej ruajtur edhe për shkak të historisë së tij, duke kujtuar se aty ishte zhvilluar gjyqi komunist ndaj Musine Kokalarit dhe intelektualëve të tjerë shqiptarë.

Aktivistja thekson se demokracia duhet të garantojë të drejtën e çdo individi, përfshirë artistët, për të mbështetur apo besuar atë që duan pa u përballur me “gjyqe publike”.

Ajo sulmon edhe mënyrën se si promovohen figura të caktuara politike dhe mediatike në Shqipëri, dhe e cilëson situatën si një “tragjedi” për shoqërinë shqiptare.

"Sali Berishën po e ngrenë në qiell po të njëjtët analistë që përfituan vende në listat e deputetëve pa pasur asnjë kontribut real në Parti", tha Kokalari ndër të tjera.

Ajo shprehet se kjo situatë është një lojë hipokrizie dhe interesa personale, që prezantohet çdo mbrëmje në televizione si debat serioz politik.

"Gjyqi që po i bëni Robert Ndrenikës është i padrejtë. Ka një urrejtje kaq të madhe mes shqiptarëve, sa ka hyrë tashmë edhe midis artistëve në këtë moment.

Shumica e protestuesve të teatrit ishin lojtarë të paguar të kampit tjetër politik. Pak ishin ata që kishin lidhje emocionale me teatrin dhe donin ta ruanin.

Pa diskutim që teatri ishte super i vjetër dhe kishte nevojë për rindërtim ose rinovim. Duhej, ndoshta, që ai teatër të ishte një ndërtesë historike e Tiranës së vjetër? Personalisht mendoj se po; jo thjesht sepse ka shërbyer si një nga të paktat vende ku gjenim argëtim, por sepse aty është mbajtur gjyqi komunist kundër Musine Kokalarit dhe shumë intelektualëve të tjerë që u desh të ballafaqoheshin me llumin e vet quajtur intelektual të vendit. (Asnjë me pak intelekt, që kuptonte çfarë ishte komunizmi, nuk do të ishte bërë pjesë e atij makabriteti).

Por sot, demokracia duhet pikërisht për të ruajtur të drejtat e Robert Ndrenikës dhe të gjithë të tjerëve për të bërë atë që ndiejnë dhe atë që besojnë, edhe pse mund të mos jemi dakord me veprimet e tij.

Ti bësh gjyq publik një artisti që ka qenë gjithnjë në majat e artit dhe kinematografisë shqiptare, flet qartë sa poshtë ka rënë niveli i atyre që bëjnë analistët nëpër emisionet e darkës.

Hajde pra, të marrim mend nga ata 'analistë' që suksesin më të madh e kanë pasur në Big Brother VIP (megjithëse edhe aty dështuan), e o burra, të sulmojmë figurën e Robert Ndrenikës se, për Zotin, dëm shumë na bëri duke puthur në ballë Erion Veliajn.

Ndërkohë, Enver Berishën që ka zaptuar të gjithë opozitën, pikërisht këta klounë e ngrenë në qiell sepse u dhanë një copë vend për t’u futur si deputetë, kur s’kishin asnjë kontribut në atë parti.
Dhe e gjithë kjo lojë klounësh prezantohet si kosher në TV shqiptare.

Çfarë tragjedie jetojnë shqiptarët!", shkruan Kokalari.

Lini një Përgjigje