
Kreu i KLP, Alfred Balla, ka justifikuar emërimin e familjarëve të deputetes Ermonela Felaj në Prokurorinë e Tiranës. 4 të afërm të saj janë sot në prokurorinë e kryeqyteti dhe kjo ka shkaktuar shumë debate politike. Madje opozita u përplas sot me të në sallën e Parlamentit.
Balla ishte po në sallë për të raportuar mbi punën e KLP dhe u pyet për rastin në fjalë. Ai tha se ka qenë koincidence, teksa u shpreh se çdo prokuror ata nuk e gjykojnë nga lidhjet familjare, por nga karriera.
“Në lidhje me 4 anëtarë të familjes së një deputeteje. Ne nuk i lidhim emrat dhe mbiemrat e prokurorëve me deputetë, disa i dimë dhe disa nuk i dimë kush i kanë lidhjet apo si i kanë me deputetët. Por neve na shqetëson vetëm papajtueshmëria ambientale, duhet të dini që vetë ju në vitin 2019 keni miratuar një ligj i cili ka ardhur si nevojë e shfuqizimit të Gjykatës Kushtetuese i ka bërë këtij neni. Ne e kemi diskutuar dhe rasti i fundit meqënëse e lidhni me disa emërime që kanë lidhje krushqie-kunat, motër-vëlla pranë Prokurorisë së Tiranës, ka qenë një koicidencë që në këtë Prokurori të madhe të aplikojnë.
Nëse ju që keni miratuar një ligj të ri në 2019, i cili vjen pas Reformës në Drejtësi, mendoni se duhet ndryshuar, mund ta ndryshoni jeni të lirë, jemi dakord. Ne e kemi pasur këtë shqetësim, në Komisionin e Karrierës është diskutuar kjo gjë. Ne si pengesë ligjore nuk kemi, ia kam bërë pyetje edhe anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i thashë: “Tani kemi hallin e moralit apo të zbatimit të ligjit”, unë personalisht nuk do të ngrija dorën për të dhënë një vendim kur jam 100% i sigurt që Gjykata Administrative mua do të ma rrëzojë”, tha ai.
Lini një Përgjigje