Kontrollet janë zhvilluar në 9 agjenci imobiliare në Tiranë dhe qytete të tjera të mëdha, ndërsa në disa raste janë sekuestruar edhe pajisje kompjuterike të zyrave
Administrata Tatimore ka ndërmarrë këtë të martë një aksion të befasishëm në agjencitë imobiliare më të mëdha në vend, duke goditur disa prej fenomeneve më të rënda të informalitetit në sektorin e ndërtimit dhe ndërmjetësimit të pasurive të paluajtshme. Në fokus të kontrolleve kanë qenë: deklarimi i pagave reale, regjistrimi i punonjësve, faturimi fiskal i shitjeve, si dhe dyshimet për evazion në çmimet e apartamenteve.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, inspektorët kanë evidentuar shkelje të rënda, si: punonjës të padeklaruar, paga të ulëta fiktive në raport me të ardhurat reale, mungesë të dokumentacionit tatimor dhe mungesë transparence në lëshimin e faturave për shitjet.
“Zero tolerancë ndaj informalitetit në ndërtim”, thuhet në deklaratën e Tatimeve, të cilat kanë paralajmëruar vazhdim të aksionit pa asnjë kompromis, duke u kërkuar subjekteve të deklarojnë pagat reale dhe të fiskalizojnë çdo transaksion, për të shmangur masa administrative dhe ndjekje penale.
Kontrollet janë zhvilluar në 9 agjenci imobiliare në Tiranë dhe qytete të tjera të mëdha, ndërsa në disa raste janë sekuestruar edhe pajisje kompjuterike të zyrave, për shkak të dyshimeve për fshehje të të dhënave të shitjeve.
Burime nga Tatimet sqarojnë se, bazuar në intervista me punonjësit dhe vetëdeklarimet e tyre, është konstatuar se një pjesë e mirë e tyre punojnë me kontrata fiktive apo nuk janë të regjistruar fare në sistemin tatimor. Po ashtu, janë identifikuar raste kur çmimi real i shitjes së apartamenteve ka qenë shumë më i lartë se ai i deklaruar në faturat fiskale.
Ky aksion vjen në një kohë kur sektori i ndërtimit dhe imobiliar është nën vëzhgim të shtuar për pastrim parash, informalitet dhe lidhje me aktivitete të dyshimta financiare.
“Administrata Tatimore ka ushtruar kontrolle në agjencitë imobiliare më të mëdha në vend, duke evidentuar punonjës të padeklaruar, paga jo reale, mungesë faturimi dhe evazion tatimor në shitjen e apartamenteve. Aksioni do të vijojë pa tolerancë e kompromis! Deklaroni pagat reale për të shmangur masat administrative dhe penale”, thekson njoftimi.
Lini një Përgjigje