TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Tetor 2023, 19:21

Eskortë, roje në banesë dhe shoqërim të familjarëve, detajet si do mbrohen prokuroret e rrezikuara nga Laert Haxhiu

Shkruar nga Pamfleti

Eskortë, roje në banesë dhe shoqërim të

Të dyja gjyqtaret do të lëvizin me shoqërues. Banesat ku ato jetojnë do të ruhen me policë, ndërsa po ashtu me shoqërues do të lëvizin dhe anëtarët e tjerë të familjes...

Zbardhen detajet dhe procedurat se si do të ruhen gjyqtaret Doloreza Musabelliu dhe Merita Selimi, të cilat janë në rrezik nga banda e Laert Haxhiut. Ishte “Pamfleti” që tregoi i pari se i penduari i drejtësisë ka rrëfyer planin për ekzekutimin e dy prokuroreve që hetuan Haxhiun për masakrën e Lushnjes.

Menjëherë pas publikimit të lajmit janë marrë në mbrojtje të dyja prokuroret. Por cilat janë procedurat që do të ndiqen në këtë rast?

Janë ligji për statusin e magjistratëve dhe disa vendime qeverie që përcaktojnë procedurat e ruajtjes së prokurorëve apo gjyqtarëve të thjeshtë dhe anëtarve të SPAK.

Garantimi i mbrojtjes personale të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Posaçme bëhet sipas rregullave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për mbrojtjen e veçantë të magjistratit. Në raste të veçanta dhe me kërkesë të kryetarit të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar apo drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, sigurohet mbrojtje për anëtarët e familjes, banesat dhe/ose eskortë për gjyqtarët dhe prokurorët”, thuhet në VKM. Këto dispozita janë zbatuar për zonjën Musabelliu.

Sa i takon prokurores Selimi, edhe pse ajo është shkarkuar nga vetingu në shkallën e parë, ka të drejtën të mbrohet. Këtë ja garanton ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë" ku neni 20 thotë:

“1. Gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, magjistrati dhe familja e tij gëzojnë të drejtën të kenë mbrojtje të veçantë nga shteti për jetën, shëndetin dhe pasurinë e tyre. Magjistrati që nuk e ushtron funksionin ose që ka dalë në pension gëzon këtë mbrojtje, në rast se e kërkon, si dhe në rast cenimi për shkak të ushtrimit të mëparshëm të funksionit të magjistratit.

2. Në rast se jeta, shëndeti dhe pasuria e magjistratit ose familja e tij janë në rrezik, shteti ofron mbrojtje të veçantë, si dhe mbrojtje fizike, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, pas konsultimit me Këshillat.

3. Dëmet e shkaktuara për jetën, shëndetin ose pasurinë e magjistratit ose familjes së tij/saj, shpërblehen nga shteti, në rast se këto dëme shkaktohen gjatë ushtrimit të funksionit të magjistratit ose për shkak të tij”.

Ndërkohë në VKM theksohet: “1. Magjistratit i sigurohet mbrojtje e veçantë personale, e familjes dhe e pasurisë, sipas parashikimeve të këtij vendimi, kur, gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, i rrezikohet jeta, shëndeti i tij dhe/ose e/i familjes, si dhe pasuria. Mbrojtje e veçantë i sigurohet edhe magjistratit që nuk e ushtron funksionin ose që ka dalë në pension, në rast se e kërkon, në rast cenimi për shkak të ushtrimit të mëparshëm të funksionit.

2. Me mbrojtje të veçantë personale, të familjes dhe të pasurisë, sipas këtij vendimi, do të kuptohen masat me karakter organizativ e profesional, për sigurimin dhe ruajtjen e veçantë fizike, mbrojtjen e familjes e të pasurisë së magjistratit, si dhe masat e tjera, që lidhen me këtë mbrojtje”.

Sipas procedurës, ata merren në mbrojtje pas kërkesës që i bëhet komisionit që merret me të tilla raste, pro kur kërcënimi është imediat, atëherë policia e merr direkt në mbrojtje, sikundër ka vepruar në rastet e mësipërme.

Kur rreziku ndaj magjistratit është serioz dhe i çastit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëron strukturat e Policisë së Shtetit të marrin masa të menjëhershme për të garantuar jetën, familjen ose pasurinë e magjistratit, deri në mbledhjen e komisionit. Komisioni, pas shqyrtimit të kërkesës, vlerëson masat e marra nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe vendos, kur është rasti, për vazhdimin e mëtejshëm të tyre”, theksohet në VKM.

Pra të dyja gjyqtaret do të lëvizin me shoqërues. Banesat ku ato jetojnë do të ruhen me policë, ndërsa po ashtu me shoqërues do të lëvizin dhe anëtarët e tjerë të familjes derisa rreziku të ketë kaluar. /Pamfleti

haxhia

Lini një Përgjigje