Këshilli Drejtues i RTSH-së është bërë bllokadë për drejtorin e ri Alfred Peza, duke i rrëzuar të gjitha propozimet për emërimin e disa drejtuesve të rinj, pasi pretendohet se po kryhen në shkelje të plotë të kritereve.
Mbledhja e Këshillit Drejtues është zhvilluar nën tone të ashpra dhe debate të forta, mes akuzave se janë kryer gara fiktive për skualifikimin e gazetarëve me përvojë dhe emërimin e njerëzve pranë Alfred Pezës.
Kështu, sipas akuzave drejtoresha e burimeve njerëzore Anila Agalliu, ka skualifikuar Klajdi Goricën, një gazetar me përvojë të gjatë televizion dhe ka zgjedhur si shefe të kanalit të parë në televizion publik Kejsi Lama, e cila thuhet se është shoqe e Bora Xhanijes. Bora Xhania vetë është 26 vjecarja që akuzohet se është katapultuar nga Alfred Peza si Drejtuese e Njësisë së Programeve në RTSH, edhe ajo vetë pa plotësuar asnjë kriter. Xhania ka punuar më herët në portalin “Apleneës” që është portali privat i Alfred Pezës.
Voxnews.al mëson se propozimet e Pezës janë rrëzuar për procedurë, dhe tashmë do të rihapet gara.
Këshilli Drejtues ka vendosur jo vetëm të rrëzojë propozimet e Pezës, por ka kërkuar të kryhen verifikimet për procedurat e marrjes në punë si më poshtë:
Drejtueses së Programeve – Bora Xhanija
Kryeredaktores së Kanalit RTSH 1- Kejsi Lama
Drejtueses së njësisë së Lajmeve – Blerta Gjermani
Drejtores së Arkivit – Endra Ceco
Drejtorit Juridik – Enkelejd Lamaj
Përgjegjëses së Sektorit të Prokurimeve
Përgjegjësit të Profilaktikës
/voxnews
Lini një Përgjigje