TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Prill 2026, 13:27

Çështjet e prapambetura, Sadushi: Pa vlerësim në kohë, sistemi humbet meritokracinë

Shkruar nga Pamfleti
Çështjet e prapambetura, Sadushi: Pa vlerësim në
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, mori pjesë në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku në fokus ishin vlerësimi etiko-profesional i magjistratëve dhe masat për reduktimin e çështjeve të prapambetura.

Në fjalën e tij, Sadushi theksoi se procesi i vlerësimit nuk duhet parë si formalitet, por si një mekanizëm kyç që ndikon drejtpërdrejt në meritokracinë, karrierën dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë.

Ai nënvizoi se vlerësimet në kohë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në emërimet, ngritjet në detyrë, transferimet dhe lëvizjet e magjistratëve. Sipas tij, vonesat në këtë proces nuk përbëjnë vetëm një problem administrativ, por ndikojnë negativisht në plotësimin e vendeve vakante, në funksionimin e gjykatave dhe prokurorive, si dhe në uljen e backlog-ut.

Sadushi theksoi gjithashtu se reforma në drejtësi synon jo vetëm ngritjen e institucioneve të reja, por edhe ndryshimin e mënyrës së vetëqeverisjes së sistemit, përfshirë promovimin, kontrollin dhe mbajtjen e përgjegjësisë. Në këtë kuadër, ai paralajmëroi se institucionet e reja nuk duhet të përsërisin problematikat e së kaluarës.

Kreu i Gjykatës së Lartë evidentoi edhe vonesat në plotësimin e dy vendeve vakante në këtë institucion, duke theksuar se mungesa e gjyqtarëve ul kapacitetin vendimmarrës dhe vështirëson ritmin e trajtimit të çështjeve të prapambetura.

Në përfundim, Sadushi u bëri thirrje KLGJ-së dhe KLP-së që ta trajtojnë vlerësimin etiko-profesional si një prioritet strategjik, duke hartuar një plan konkret veprimi me afate të qarta, objektiva të matshme dhe transparencë në raportim.

sadushi Çështjet e prapambetura

Lini një Përgjigje