
Të 40 personat iu nënshtruan urdhrit të paraburgimit, pasi sipas ligjit, kushtit të parregullsisë administrative iu shtua edhe vlerësimi i rrezikshmërisë...
Të 40 emigrantët e transferuar në Shqipëri të premten nga Italia do të rikthehen sërish në vendin përtej Adriatikut përpara se të riatdhesohen në vendet e tyre të origjinës. Kështu shprehet ministri i Brendshëm italian, Mattei Piantedosi.
“Bazuar në kombësinë e tyre dhe marrëveshjet me vendet e tyre të origjinës, disa njerëz fillimisht do të duhet të kthehen në Itali”, tha ai.
Sipas mediave italiane, Ministria e Brendshme ka njoftuar se të 40-të emigrantët, do të duhet të kthehen në Itali, sepse, siç dihet, nuk ka asnjë marrëveshje me Shqipërinë për ekzekutimin e dëbimeve, pa të cilat askush nuk mund të riatdhesohet nga një vend i tretë.
Në këtë kuadër, media italiane e cilëson transferimin e emigrantëve drejt kampit të Gjadrit ‘një karusel’ të padobishëm dhe me kosto të lartë, me të cilin qeveria Meloni po përpiqet të shpëtojë fytyrën pas dështimit të protokollit 700 milionë euro për të shqyrtuar kërkesat për azil në Shqipëri nga aplikantët që vijnë nga vende “të sigurta”.
Pas miratimit të dekretit të 28 marsit, kampi i Gjadrit mori funksionin e një CPR-je, ku strehohen emigrantët e parregullt në pritje të riatdhesimit.
Mediat italiane shprehen se ende nuk dihet se kujt kombësie i përkasin 40 personat e transferuar në kampin e Gjadrit.
Për mënyrën se si u përzgjodhën, Piantedosi tha se “të 40 personat iu nënshtruan urdhrit të paraburgimit, pasi sipas ligjit, kushtit të parregullsisë administrative iu shtua edhe vlerësimi i rrezikshmërisë”.
Në mesin e personave të transportuar janë 5 raste të dënimit për dhunë seksuale, një rast për tentativë vrasje, krime kundër pronës, vjedhje, kundërshtim ndaj zyrtarit publik.
Por ka edhe persona pa precedentë penalë, raporton delegacioni i Komitetit të Azilit dhe Emigracionit që i ka pritur në qendër pasditen e së shtunës.
Gjithashtu janë edhe personat që nuk kanë mundur të rinovojnë lejen e qëndrimit, siç mund të gjenden edhe në CPR-të italiane.
E megjithatë, çfarë lidhje kanë të gjitha këto me zhvendosjen e përkohshme në Shqipëri? Asgjë.
Profilizimi kriminal, në fakt, nuk eliminon rrezikun e diskriminimit të censuruar nga neni 3 i Kushtetutës, i cili lind kur ligji “pa shkak të arsyeshëm” parashikon trajtim të ndryshëm ndërmjet atyre që gjenden në “situata të barabarta” (Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15/1960).
Për më tepër, asgjë nuk specifikohet për kriteret e përzgjedhjes së personave që do të transferohen në Shqipëri: dekreti 37/2025 nuk thotë asgjë.
Dhe kjo nuk është e gjitha!
“Metodat e vlefshmërisë dhe ushtrimit të së drejtës së mbrojtjes janë shumë të ndryshme, dhe më keq, krahasuar me atë që ndodh me personat e ndaluar në Itali”, denoncoi Shoqata për Studime Ligjore për Imigracionin (ASGI), e cila vë në dukje disa profile antikushtetutshmërie.
“Cilat janë kriteret e përzgjedhjes, mbi bazën e cila rregullave identifikohen dhe kush e bën atë?
A është ministria që e bën këtë zgjedhje dhe shton përgjegjësinë relative?”, pyet avokati Dario Belluçio.
Këto persona do të pengohen të vizitojnë të afërmit, nuk do të kenë mundësi të takohen me avokatët, ndërsa ministria përcakton në mënyrë autonome ndryshimin e gjyqtarit që do të duhet të vendosë për fatin e çështjes".
Mediat italiane shkruajnë se për transferimin e emigrantëve nga Italia në Shqipëri, përdoret anija e marinës Libra : 80 metra e gjatë me 200 vende. /Përshtati Pamfleti nga Ilfattoquotidiano/
Lini një Përgjigje