Rasti i profesorit italian të biologjisë, Michele D’Angelo, i arrestuar në Shqipëri që prej fillimit të gushtit pas një aksidenti me pasojë vdekjen në Fier, është rikthyer në qendër të vëmendjes në Itali. Gazeta Il Messaggero ka publikuar një artikull të zgjeruar ku ngrihen dyshime serioze mbi saktësinë dhe paanshmërinë e ekspertizës zyrtare të Prokurorisë shqiptare.
Sipas avokatit mbrojtës Toto Avdiaj, ekspertiza automobilistike që e mban ende në burg D’Angelo është “e shtrembëruar dhe jo e saktë”. Në kundërshtimin zyrtar të bërë publik, avokati pretendon se eksperti i emëruar nga Prokuroria e Fierit ka deformuar faktet në mënyrë flagrante, duke mos marrë parasysh prova thelbësore – përfshirë pamjet filmike të aksidentit dhe të dhënat mbi shpejtësinë e mjetit tjetër të përfshirë, një Mercedes Benz që udhëtonte me rreth 150 km/h.
Në dokumentin mbrojtës thuhet se eksperti ka deklaruar se rruga ku ndodhi aksidenti kishte vija të pandërprera, ndërsa në të vërtetë, sipas mbrojtjes, bëhej fjalë për vija të ndërprera të projektuara pikërisht për kthim majtas drejt lokalit ku D’Angelo dhe partnerja e tij Vanessa Castelli po shkonin për të qenë dëshmitarë në një dasmë.
Një tjetër pikë kyçe është neglizhimi i videos zyrtare të aksidentit, e cila sipas avokatit provon shpejtësinë e jashtëzakonshme të mjetit tjetër dhe mund të përmbysë narrativën që ka çuar në arrestimin e profesorit. Gjithashtu, vihet në dukje mungesa e analizës së të dhënave nga “kutia e zezë” e Mercedesit, që sipas Prokurorisë nuk kishte regjistruar asgjë – një pohim që kundërshtohet nga mbrojtja.
Avokati kërkon një ekspertizë të re nga një komision me tre ekspertë të pavarur, për të garantuar paanësi dhe verifikim objektiv të shkaqeve të aksidentit.
Ndërkohë, çështja ka marrë edhe vëmendjen e politikës italiane. Deputeti i Partisë Demokratike, Luciano D'Alfonso, është angazhuar drejtpërdrejt për të “nxjerrë të vërtetën dhe për të garantuar një trajtim të drejtë”. Ai ka kërkuar që të ndërhyjë diplomacia italiane, ndërsa pritet një takim me autoritetet shqiptare në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje