
Në GJKKO mbahet sot seanca e rradhës për dosjen "Partizani", ku të pandehur janë ish-Kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, dhe tre të tjerë, mes të cilëve edhe biznesmeni Fatmir Bektashi.
Prej disa muajsh në GJKKO mbahen seanca lidhur me dosjen Partizani që ka vënë nën akuzë për korrupsion ish-Kryeministrin Berisha, ndërsa dhëndri i tij, Malltezi akuzohet edhe për fshehje pasurie dhe pastrim parash.
Seanca e kaluar u shty për shkak të mungesës së avokatit Sokol Hazizaj dhe Vasilika Hysit që mbrojnë biznesmenin Fatmir Bektashi dhe dy kompanitë.
Më herët, gjykata ka rrëzuar kërkesën e Berishës dhe të tjerëve për pavlefshmëri të akteve dhe provave që janë gjetur nga SPAK, me argumentin se kërkesa është e pabazuar në ligj dhe prova.
Bëhej fjalë për vendimet e marra nga gjyqtarja e hetimeve paraprake Irena Gjoka, e sulmuar nga Berisha.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.
Edhe Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Ortaku i Malltezit, Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash.
Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.
Lini një Përgjigje