TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Dhjetor 2025, 10:07

Ceremonia për kreun e ri të SPAK, Dumani i lë ‘stafetën’ Brahos: Kapitulli më sfidues i karrierës sime

Shkruar nga Pamfleti
Ceremonia për kreun e ri të SPAK, Dumani i lë
Ish kreu i SPAK, Altin Dumani

Ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme në orën 10:00 nisi ceremonia e kalimit të detyrës nga Altin Dumani, te kryetari i ri Klodian Braho.

Për SPAK, ky cilësohet si një moment i rëndësishëm për sigurimin e vazhdimësisë dhe forcimin e mëtejshëm të punës së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Altin Dumani mban fjalimin e tij për largimin nga detyra si kreu i SPAK dhe u shpreh se "sot mbyllet një ndër kapitujt më sfidues të karrierës si prokuror".

"Para se t’ia lë fjalën z. Braho, më lejoni të them dy fjalë. Sot mbyllet një ndër kapitujt më sfidues të karrierës sime si prokuror. Në çdo jap kemi punuar me integritet e profesionalizëm. SPAK është më i fortë dhe i konsoliduar se më parë. Ky është rezultat i punës së të gjithëve. Dua t’ju falënderoj përzemërsisht për përkushtimin, integritetin dhe sakrificat tuaja. Gjithashtu u shpreh mirënjohjen time partnerëve ndërkombëtare që kanë qenë pranë nesh në çdo hap. Një falënderim i veçantë për publikun shqiptar, besimi i tij ka qenë forca jonë më e madhe.", tha Dumani.

Gjatë fjalës së tij, Dumani i uroi suksese Brahos, duke shprehur besimin se ai do të vijojë punën në forcimin e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion.

“I uroj shumë suksese z. Braho në detyrën e re dhe kam bindjen se ai do të mbështetet mbi trashëgiminë 6-vjeçare duke e çuar përpara misionin e SPAK me integritet e vendosmëri.” tha Dumani, duke falënderuar gjithashtu punonjësit e SPAK-ut për përkushtimin dhe sakrificat e tyre, si dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e dhënë.

Klodian Braho është zgjedhur në krye të SPAK-ut për një mandat 3-vjeçar, pas një vendimi të marrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) gjatë seancës maratonë të 11 dhjetorit.

Klodian Braho u votua nga 7 anëtarë të KLP-së, duke siguruar shumicën e nevojshme për të marrë drejtimin e institucionit. Në garë ishin pesë kandidatë. Përveç Brahos, kandiduan edhe Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu dhe Elvin Gokaj. Nga votimi përfundimtar, tre anëtarë të KLP-së mbështetën Adnan Xholin, një votë shkoi për Elvin Gokajn, ndërsa asnjë votë nuk u dha për Doloreza Musabelliun.

Mandati i drejtuesit të SPAK-ut është 3-vjeçar dhe nuk parashikon të drejtë rizgjedhjeje.

Altin Dumani, i cili mori drejtimin e institucionit pas Arben Krajës, drejtuesit të parë të SPAK-ut, përfundon kështu detyrën e tij drejtuese dhe do të vijojë punën si prokuror i SPAK-ut deri në vitin 2028, kur i përfundon mandati 9-vjeçar.

Dumani e mbyll ciklin e drejtuesit mes kërkesave të vazhdueshme për t’i dhënë mundësinë e rikandidimit të prokurorëve të SPAK.

 

ish kreu i spak altin dumani dumani braho

Lini një Përgjigje