
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme mbi dosjen e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal, janë qendra e akuzave që opozita ngre shpesh ndaj kryeministrit Edi Rama.
Analisti Mentor Kikia thotë se megjithatë opozita nuk ka ditur ta përdorë politikisht këtë çështje.
Duke folur për hetimet e SPAK, Kikia tha se opozita nuk mundi ta kthente në përfitim politik përmendjen e kryeministrit Edi Rama në këtë çështje.
“Pjesa e skandalit të McGonigal nuk ka çfarë të nxjerrë më në sipërfaqe. Thjesht opozita shqiptare është e paaftë dhe nuk ka mbështetje publike që këtë çështje ta kthejë në përfitim politik”, ka thënë Kikia.
Analisti ka thënë se do të ishtë skandal nëse do të zbulohej se McGonigal ka ndikuar në kalimin e vettingut të disa gjyqtarëve e prokurorëve.
Kjo sipas Kikisë do të përbënte një problem real.
“Hipoteza më e rëndë nëse konfirmohet është nëse zotëria ka influencuar në kalimin e vettingut të peronave që sot mund të jenë duke dhënë vendime gjyqësore apo në rolin e organit të akuzës. Nëse konfirmohet kjo do jemi përballë një problemi real”, tha Kikia në Report Tv.
Lini një Përgjigje