TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Janar 2024, 21:57

Vendimi i Kushtetueses për paktin e emigrantëve, jehonë tek 'BBC': Nuk ka asnjë pengesë për kalimin e draftit

Shkruar nga Pamfleti

Vendimi i Kushtetueses për paktin e emigrantëve, jehonë tek

Mediat e huaja kanë pasqyruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen mes Shqipërisë e Italisë për emigrantët.

Prestigjiozja britanike BBC ka shkruar lidhur me vendimin për marrëveshjen që tashmë duhet të ratifikohet nga parlamenti shqiptar.

Sipas BBC edhe në parlament marrëveshja ka gjasa të kalojë lehtësisht pasi kryeministri Edi Rama ka një shumicë të padiskutueshme.

BBC shkruan gjithashtu se mediat shqiptare raportuan se gjyqtarët e gjykatës votuan 5-4 për të rrëzuar kërkesën për bllokimin e legjislacionit të propozuar.

Sipas marrëveshjes, ndërkohë që shqyrtohen kërkesat për azil të emigrantëve që  tentojnë të shkojnë në Itali, ata do të qëndrojnë në dy qendra pranë Shëngjinit.

Pasi të jenë vlerësuar kërkesat për azil të emigrantëve, Italia do të jetë përgjegjëse ose për zhvendosjen e tyre nga qendrat në Itali ose për dëbimin e tyre.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe Rama e prezantuan për herë të parë marrëveshjen në Romë në nëntor.

Menjëherë pas kësaj, marrëveshja u bllokua përkohësisht pasi opozita shqiptare paraqiti dy peticione me argumentin se marrëveshja do t’u mohonte azilkërkuesve mbrojtjen e kushtetutës dhe ligjit ndërkombëtar.

Por të hënën, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese vendosën se marrëveshja nuk ishte antikushtetuese.

Gjyqtarët hodhën poshtë gjithashtu pretendimet se marrëveshja për ngritjen e objekteve të pritjes së azilit do t’i jepte Italisë sovranitet në territorin shqiptar.

Javën e kaluar edhe deputetët italianë votuan pro marrëveshjes.

Tashmë ajo do të shkojë në Senatin italian, ku pritet edhe miratimi i saj.

Meloni, e cila kryeson partinë e krahut të djathtë, premtoi të godiste emigracionin kur u zgjodh në shtator 2022.

bbc gjykata kushtetuese

Lini një Përgjigje