
Skandali i AKSHI-t, aktualisht nën hetim nga SPAK, po konsiderohet si një nga çështjet më të rënda të viteve të fundit, me zhvillime që mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në politikën shqiptare.
Gazetarja Klodiana Lala deklaroi se kjo dosje ka potencialin të tronditë seriozisht qeverinë, për shkak të përmasave të abuzimeve të zbuluara.
Ajo u shpreh gjithashtu se kjo është dosja më e rëndësishme që SPAK ka hetuar ndonjëherë, pasi bëhet fjalë për një institucion shtetëror i cili menaxhonte një buxhet të rëndësishëm sa i përket parave të taksapaguesve shqiptarë.
“Dosja e AKSHI-t është një dosje që mund të rrëzojë qeverinë. Këtë e them me përgjegjësi të plotë. Është një kapje e shtetit nga një grup i strukturuar kriminal, jo vetëm për faktin se paracaktoheshin tenderat në AKSH, por për mënyrën se si bashjëpunonte ky grip kriminal, se si pastroheshin paratë apo se si rrëmbeheshin biznesemenët, apo të tjerë frikësoheshin. Kështu që, në këtë aspekt, ndoshta është dosja më e rëndësishme që Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka hetuar ndonjëherë. Pse e them këtë gjë? Sepse bëhet fjalë për një institucion shtetëror, një institucion i cili sigurisht menaxhonte një buxhet të rëndësishëm sa i përket parave të taksa paguesve shqiptarë. Kishte të dhëna sensitive që kishte AKSHI. Të sistemit të drejtësisë dhe bankave”, u shpreh Lala për "News 24".
Sipas Lalës, hetimi përfshin një sërë elementësh të rëndë penalë, duke filluar nga manipulimi i tenderave deri te pastrimi i parave dhe ndërhyrjet në të dhëna sensitive. Ajo theksoi se Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, dyshohen si pjesë e grupit të strukturuar kriminal.
“E konsideroj një çështje shumë të rëndësishme për mënyrën se si fillohet që nga pengmarrja, pastrimi i parave, paracaktimi i tenderave e deri tek vjedhja apo hakerimi i të dhënave. Tani lidhur me pyetjen tuaj, Prokuroria e Posaçme pas një hetimi jo më shumë se tre-katër mujor, ka arritur të sekuestrojë në këtë fazë të parë rreth 40 milionë euro pasuri të paluajtshme, por edhe të luajtshme të personave të dyshuar. Dhe bëhet fjalë për Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin, të cilët dyshohen si pjesë e grupit të strukturuar kriminal. Po ashtu janë sekuestruar edhe pasuritë e Mirlinda Karçanaj, ish-drejtoreshë e përgjithshme e AKSHI-t, e cila aktualisht ndodhet në arrest shtëpie”, tha Klodiana Lala.
Hetimet e SPAK vijojnë, ndërsa kjo çështje pritet të ketë zhvillime të mëtejshme që mund të ndikojnë jo vetëm në drejtësi, por edhe në skenën politike.
Gabuan me Karcanaj. Ajo rri ne nje shtepi modeste me qera. Per te ngrene e ndihmojne komshinjte. Kush nje cope mish kush ca veze e makarona. Nga ato qe i teprojne.