Banorët e Rrjollit kanë vijuar edhe këtë të shtunë protestën e tyre kundër ndërtimit të një resorti turistik nga oligarku Bashkim Ulaj, duke kërkuar mbështetje nga qytetarë në mbarë vendin.
Edhe në këtë protestë ka pasur prani të forcave të policisë, ndërsa banorët kanë përsëritur akuzat se uniformat blu po mbrojnë, sipas tyre, zaptuesit e tokave.
Në prononcimet për mediat, banorja Luçjana Kokaj dhe avokati Ndue Pjetërqaj kanë shpjeguar situatën dhe kanë theksuar se nuk do të tërhiqen nga qëndrimi i tyre.
"Ardhja e njerëzve nga gjithë Shqipëria sot në Rrjoll, tregon që kjo është një plagë jo vetëm e Rrjollit. Rrjolli ka bërë një rezistencë mahnitëse për të mbrojtur të drejtën e vet, amanetin e të parëve. Aty po punohet me ritme të frikshme. Jemi në procedura nëpër gjykata, presim që prokuroria e Shkodrës të dalë me një vendim. Jemi të gatshëm që të vazhdojmë me ekspertiza ndërkombëtare se pronën tonë s’do të lejojmë askënd ta privatizojë. Do të vijmë të jemi këtu çdo ditë. Ndërkohë që Prokuroria ka 1 vit që nuk e mbyll hetimin, normal që të krijon dyshime. Nuk jemi kundër zhvillimit, por ne nuk mund ta lejojmë që dikush të punojë në tokën tonë dhe ne të na përjashtojë komplet.", tha Luçiana Kokaj.
"Nuk është problemi se do të bëjmë rrëmujë me kundërshtarët që kemi këtu. I bëj thirrje shqiptarëve, sepse i vetmi vend është Rrjolli, tokat e gjithë shqiptarëve janë në rrezik. Nëse Rrjolli përmbyset nga kjo qeveri, atëherë asnjë qytetarë s’do të ketë më të drejtë të kërkojë pronat e marra nga forca e pushtetit. S’jemi në 9 që këto parti kërkuan që të luftohej veri kundër jugut. Sot i bëjmë thirrje të gjithëve të vijnë e të solidarizohen se situata nuk është normale, mund të agravojë në veprime të rrezikshme.", tha Ndue Pjetra
Protestës i janë bashkuar edhe qytetarë nga zona të tjera të vendit, ndërsa një banore nga Dukati i Vlorës ka ngritur shqetësimin për çështjen e pronësisë, duke e cilësuar atë si një problem të përhapur në nivel kombëtar.
Gjatë zhvillimit të protestës janë regjistruar edhe përplasje të lehta me policinë. Disa banorë kanë tentuar të hyjnë në zonën e kantierit përmes rrugëve alternative, por janë ndaluar nga forcat e rendit.
Lini një Përgjigje