Pacaj është i vetmi ndër ligjvënësit e PS që duket se ka dalë nga rreshti i Edi Ramës në lidhje me atë që ndodh në Rrjoll, ku policia e Ilir Prodës, është vënë në shërbim të biznesmenit, të cilit i është dhënë leja për ndërtimin e resortit turistik...
Prej javësh banorët e Rrjollit në Velipojë po përballen me dhunën policore, e cila është vendosur në mbrojtje të një prone që i është dhënë oligarkut Bashkim Ulaj, ndërsa banorët akuzojnë Qeverinë se prona i është grabitur me dokumente të falsifikuara.
Banorët përtej protestave i janë drejtuar me letra të hapura institucioneve qendrore në vend, por edhe Trupit Diplomatik, ndërsa një kallëzim kanë depozituar si në SPAK ashtu edhe në Prokurorinë e Shkodrës.
Ndërkohë, dhjetra forca policore, të pajisur me skafandra dhe mburoja, prej ditësh dhunojnë banorët që me protestat e tyre synojnë të ndalin punimet, ndërsa kërkojnë që t’i njihet pronësia dhe të dëmshpërblehen.
Së fundmi në krah të banorëve të Rrjollit ka dalë edhe deputeti socialist Ermal Pacaj. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka publikuar një moment nga dhuna ndaj banorëve të Rrjollit, që e konsideron akt banditesk dhe vandal. Në video shfaqen policë me uniforma që dhunojnë qytetarë, përfshi të rinj, gra dhe të moshuar.
“Po kjo?! Si mundet me ndodhë?!
Absolutisht e tepërt, shumë.
Dënoj dhe e përçmoj goditjen me grushta dhe shkelma kundër banorit dhe banorëve të Rrjollit. Akt i papranueshëm, vandal dhe bandit. Këto probleme nuk zgjidhen me dhunë e brutalitet, zgjidhen me drejtësi dhe me institucione legjitime, duke respektuar të drejtat e patjetërsueshme që na garanton Kushtetuta!”, shkruan deputeti i PS-së.

Pacaj është i vetmi ndër ligjvënësit e PS që duket se ka dalë nga rreshti i Edi Ramës në lidhje me atë që ndodh në Rrjoll, ku policia e Ilir Prodës, është vënë në shërbim të biznesmenit, të cilit i është dhënë leja për ndërtimin e resortit turistik.
Banorët protestojnë lidhur me lejen për ndërtimin e resortit “Blue Borgo”, projekt që po zhvillohet në afërsi të Ranës së Hedhun.
Pavarësisht incidenteve, shoqërimeve të tyre në polici, banorët janë shprehur të vendosur për të mos u tërhequr nga kauza e tyre, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të punimeve. Ata kanë deklaruar se nuk janë kundër zhvillimit, por nuk mund të pranojnë grabitjen e pronave të tyre.
Lini një Përgjigje