
Avokati Dorian Matlija ka komentuar sulmin e ditës së sotme ndaj avokatit Sokol Mëngjësi.
Matlija u shpreh se synimi i sulmit nuk ka qenë thjesht për të rrahur një person, por synimi ka qenë për t'i marrë jetën.
Matlija thekson gjithashtu së ishte vetë Policia që ka ngritur një akuzë për vrasje të mbetur në tentativë që do të thotë që ka informacion të mjaftueshëm.
“Dimë shumë pak deri tani, sigurisht që policia nëse ka ngritur një akuzë për vrasje të mbetur në tentativë, do të thotë që ka informacion të mjaftueshëm për të mbështetur këtë akuzë. Pra ka kuptuar që synimi nuk ka qenë thjeshtë për të rrahur një person, por synimi ka qenë për t'i marrë jetën”, tha Matlija për Syri TV.
Gjithashtu avokati Matlija tha se nuk përjashtohet mundësia për një krim që ka dashur shumë guxim për t’u bërë në mes të Tiranës.
“Kjo është e rëndësishme nga ajo çfarë komunikohet nga Policia. Pastaj, detajet të tjera se sa të strukturuar kanë qenë këta persona, kjo është diçka që do ju përkas hetimeve në vazhdim, është ende herët për këtë pjesë, por megjithatë nuk përjashtohet mundësia, që pse jo, sepse kemi të bëjmë me një krim që ka dashur një guxim shumë të madh për t’u kryer, në mes të Tiranës në një orar të populluar, pa mbuluar fytyrat”, u shpreh Matlija.
Lini një Përgjigje