Policia bën me dije se janë evakuuar mbi 50 persona të bllokuar në Rrugën e Arbrit...
Dëbora e rënë gjatë ditës së sotme ka krijuar vështirësi në disa qytete, ku problemet më të shumta kanë qenë në Dibër, Kukës, zonat malore të Shkodrës apo Tropojë. Po ashtu reshje pati edhe në Qafë Thamë, Korçë dhe Pogradec, por pa krijuar probleme.
Situata më e rëndë u regjistrua në Rrugën e Arbrit, pasi mbi 300 makina u bllokun për afro 7 orë në mes të dëborës dhe të ftohtit. Edhe pse janë hedhur miliona në atë rrugë dhe ministrja Belinda Balluku mburret në Facebook, sot shteti dhe firma “Gjoka”, që po merret me ndërtimin, dështuan sërish.
Kur bie shi ky aks bëhet i pakalueshëm, teksa e njëjta gjë ndodh edhe me dëborën. Për 7 orë nuk hyri asnjë borë pastruese, ndërkohë që shumë fëmijë mbetën në mes të temperaturave nën zero.

Vetëm tani bëhet me dije se kanë nisur zhbllokimi i rrugës dhe makinat po largohen. Ndërkohë policia bën me dije se janë evakuuar mbi 50 persona. Mësohet se automjetet e bllokuara jana kthyer drejt Tiranës.
“Shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Patrullave të Përgjithshme, nëpërmjet automjeteve të kalueshmërisë së lartë, bënë të mundur evakuimin e 50 pasagjerëve që ndodheshin në automjete në bypass Qafë Murrizë, duke i nxjerrë nga zona ku kishin mbetur të bllokuar dhe po i transportojnë në destinacionet e tyre, në Klos, Bulqizë dhe në Peshkopi. Ndërkohë, borëpastrueset po punojnë intensivisht për pastrimin e rrugës, për të bërë të mundur që dhe automjetet të vijojnë lëvizjen. Drejtuesit e automjeteve të qëndrojnë në makina pasi po punohet intensivisht që për pak minuta të fillojë lëvizja e automjeteve. Shërbimet e Policisë, pavarësisht kushteve të vështira të motit, ndodhen në krye të detyrës, për t'iu dhënë ndihmë të gjithë përdoruesve të rrugës, në rast nevoje, dhe apelojnë edhe një herë për shmangie të qarkullimit në rrugën e Arbrit”, thekson policia.

Ndërkohë situata është normalizuar dhe në akset e tjera. Mësohet se dhe aksi Peshkopi- Maqellarë është hapur, pasi dhe ai qëndroi afro 4 orë i bllokuar. Po ashtu situata është normalizuar në Rrugën e Kombit si dhe në Qafë Thanë, ku nuk ka probleme. Policia ka bërë apel që të përdoren goma dimërore nga shoferët në zonat ku ka reshje bore. Ndërkohë vetë ARRSH ka dalë me një njoftim duke dhënë detaje mbi situatën e rrugëve.

“Reshjet e dëborës kanë filluar në zonën juglindore dhe në akset e Dajtit ku mjetet borëbastruese janë në terren dhe qarkullimi vijon pa probleme. Në Përrenjas-Librazhd, në Xhyrë, si pasojë e reshjeve shoqëruar me erë të fortë ka pasur rënie të një peme në trup të rrugës, e cila është hequr menjëherë.
Në Rajonin Verior kanë vijuar reshjet e dëborës me intensitet, grupet e punës janë në terren me mjete dhe punëtorë për pastrimin e rrugës dhe shpërndarjen e kripës, qarkullimi vijon pa ndërprerje.
Në Bypass-in e Qafë Murrizit për shkak të reshjeve të shumta të dëborës shoqëruar me stuhi dhe përdoruesve të mjeteve që nuk janë pajisur me goma dimri apo zinxhir kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve, por edhe të borëpastruesve.

Po punohet për spostimin e mjeteve nga trupi i rrugës për të lejuar borëpastrueset të vijojnë me pastrimin e rrugës.
Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”, njofton ARRSH. /Pamfleti
Lini një Përgjigje