Në orën 11:00 në Gjykatën e Posaçme ka nisur seanca paraprake për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Prej më shumë se një ore, seanca për dosjen “Veliaj” vijon me debate të forta, ndërsa vetë kryebashkiaku ka mbajtur jalën para gjyqtares Etleva Deda.
Kjo seancë zhvillohet një ditë pasi GJKKO rrëzoi kërkesën e Veliajt për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Gjatë seancës gjyqësore, Veliaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda, duke pretenduar se nuk iu dha e drejta për t’u mbrojtur në mënyrë efektive.
Për sa i përket largimit të Valentina Teodoreskut nga mbrojtja, avokatja falas nga shteti tha se “nuk i kishte dalë koha ta takonte Veliajn dhe se ajo ka fuqi ligjore për ta mbrojtur”.
Avokatja kryesisht deklaroi se taksia e kishte pritur vetëm një orë në IEVP Durrës, çka sipas saj nuk i kishte dhënë kohë të mjaftueshme për t’u njohur me aktet e dosjes. Për këtë arsye, ajo kërkoi shtyrjen e seancës, por kërkesa u rrëzua nga Gjykata e Posaçme.
Gjyqtarja Etleva Deda ka kaluar në konkluzionet përfundimtare, duke e cilësuar si të ezauruar fazën e mbrojtjes. Seanca paraprake për dosjen “Veliaj” vijon ende në GJKKO.
Ndërkohë për gjykim është dërguar edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, si dhe 28 persona e shoqëri të tjera, pjesë e dosjes “Veliaj”.
SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj.
Lini një Përgjigje