
Pak minuta më parë janë publikuar pamjet e kamerave të sigurisë në banesën e Bernard Ndrecës, të cilat kanë kapur të gjithë momentin nga vendosja e eksplozivit deri te shpërthimi që gati i mori jetën kreut të PD-së në Vaun e Dejës. Siç shihet në video sapo Ndreca futet në makinë, makina hidhet në erë.
Ky i fundit ka shpëtuar pa lëndime. Shpërthimi duket se ka qenë shumë i fortë dhe ka ndodhur në pjesën e parme të makinës. Ndërkohë mrekullisht pa u lënduar ka shpëtuar edhe mamaja e tij, e cila ndodhej jashtë në ato momente, shumë pranë pjesës ku mjeti shpërtheu.
Po ashtu janë publikuar pamjet e momentit të vendosjes së eksplozivit. Dy persona i afrohen ngadalë, sapo kishte kaluar mesnata makinës dhe i vendosin tritolin.Fytyrat e tyre nuk shquhen, por silueta dhe lëvizjet janë të qarta. Siç shihet një prej autorëve shtrihet në tokë nga ana e djathtë e makinës, pranë gomës për të vendosur eksplozivin, ndërsa tjetri e ruan dhe asiston. Montimi i eksplozivit ka zgjatur 6 minuta dhe më pas dy autorët janë larguar ashtu si u afruan.
Benard Ndreca ka reaguar pasi i shpëtoi një atentati me tritol. Ai u shpreh se nuk ka konflikte me askënd dhe se ky është një sulm i hapur politik. Më tej ai tha se nga kamerat e sigurisë arritën të dallonin dy persona me maskë që vendosën sasinë e lëndës plasëse në mjet rreth orës 1:15 të mbrëmjes. Mjeti shpërtheu me telekomandë.
“Në momentin që ka lëvizur makina nga vendi aty ka qenë shpërthimi. Skam konflikte me asnjë, kjo është e përdorur politikisht. S’më është vendosur mua por kreut të PD së Vaut të Dejës sepse këtu janë të organizuar mirë. S’kam përplasje, as kërcënime. Janë parë pamjet, vijnë dy persona, në orën 1:15 të natës, rreth 7 minuta aty, vendosin eksplozivin dhe largohen. Janë të maskuar. Thirrja ime është, duke filluar që nga kryeministri: Të distancojnë policinë nga politika. Lërini njerëzit të votojnë të lirë. I bëj thirrje çdo lloj kahu politik, se vullneti i njerëzve dihet se ku shkon, nuk i mbani dot bashkitë e vendeve me presion.”- tha Ndreca.
Lini një Përgjigje