TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Prill 2023, 11:35

Bashkitë si pashallëqe/ 50% e buxheteve për paga, makina, zyra, dieta, shpërblime, propagandë...

Shkruar nga Pamfleti
Bashkitë si pashallëqe/ 50% e buxheteve për paga, makina, zyra,
Projekti luksoz i Bashkisë Elbasan

Deri në vitin 2015 kur u bë reforma territoriale, shpenzimet për paga e administratën ishin 20-25%, ndërsa këto 8 vite me 61 bashki ato janë dyfishuar, duke pakësuar fondin për investime e shërbime ndaj qytetarëve

Një raport i Ministrisë së Financave, për administrimin e fondeve shtetërore  dhe të ardhurat e bashkive në vitet 2017-2022, ka zbuluar batërdinë që bëjnë Kryetarët dhe Këshillat Bashkiak.

Sipas të dhënave që “Pamfleti” i ka marrë konfidencialisht ende pa u bërë publike, rezulton se 52 bashki harxhojnë afro 50% të fondeve për paga, makina, luks zyrash, dieta, karburante, shpërblime, bankete, koncerte e  propagandë.

Kjo është mesatarja e 61 bashkive, sepse ka bashki si Lezha, Dibra, Bulqiza, Mallakastra, Tepelena, Devolli, Hasi, Delvina, Erseka etj., që këtë grup shpenzimesh e kanë 35% të buxhetit.

Ndërsa bashki të mëdha si Tirana, Durrësi, Elbasani, Korça, Fieri Vlora, Himara, Berati, Shkodra, Gjirokastra e Kukësi por edhe 20 bashki të kategorisë së vogël e të mesme, që e kanë deri në 70% treguesin e fondit të pagave e shpenzimeve administrative.

Një nga argumentet e reformës territoriale që u bë në vitin 2014 e filloi zbatimin në zgjedhjet lokale 2015, ishte pakësimi i numrit të bashkive e komunave, për të ulur shpenzimet e buxhetore, duke ulur numrin e punonjësve të administratave.

Pra, u tha se me reformën territoriale, do ulej numri i kryetarëve të bashkive e komunave, nga 405 që ishin në 61 dhe numri i zv/kryetarëve të bashkive nga 830 në 90, si dhe do pakësohej me 40% numri i punonjësve të administratës lokale.

Por në vend të pakësimit të zyrtarëve, administratat e bashkive janë shtuar me 32% punonjës më tepër; madje ish-komunat janë siç ishin, por quhen Njësi Administrative me kryetar, zv/kryetar e më shumë punonjës zyrash.

Madje nëpër zyrat e bashkive, është shtuar edhe një kategori nëpunësish, të quajtur “këshilltarë” të kryetarit, zv/kryetarëve dhe “ekspertë të brendshëm e të jashtëm”, numri i të cilëve arrin në 570 të tillë me paga mujore 800-1000 Euro e honorare miliona lekë.

Po kështu, nëpër bashki janë shtuar zyrat e marrëdhënieve me publikun dhe zyrat e propagandës, ku në total ka 620 punonjës, të cilët merren vetëm me like e komente në rrjetet sociale, përgatisin kronikat mediatike të kryetarëve e sjellin vërdallë qytetarët.

Në masën 50% të shpenzimeve administrative, është dhe mobilimi i shpeshtë në zyra, makinat luksoze, dieta, dhurata, pritje-përcjellje edhe të ministrave, karburante, shpërblime, bankete, koncerte e deri aktiviteteve, për propagandë personale të krye bashkiakëve e partive përkatëse.

Deri në vitin 2015 kur u bë reforma territoriale, ish-bashkitë e komunat e kishin mesataren e pagave dhe shpenzimeve administrative në masën 20-25% të buxhetit, ndërsa në këto 8 vite me 61 bashki janë dyfishuar, duke i hequr nga fondet e investimeve e shërbimeve publike./Pamfleti

bashkitë pashallëqe 50% e buxhetit për paga

Lini një Përgjigje