TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Shkurt 2026, 17:31

Bllokimi i aksit Librazhd–Prrenjas krijon kaos në qarkullim, rruga alternative Maliq-Gramsh e dëmtuar

Shkruar nga Pamfleti

Bllokimi i aksit Librazhd–Prrenjas krijon kaos në qarkullim, rruga

Radhë kilometrike automjetesh, shumë udhëtarë mbeten të bllokuar...

Rrëshqitjet dhe zhvendosja e tokës në zonën e njohur si “Arrat e Furrës”, në aksin Librazhd–Prrenjas, kanë çuar në pezullimin pa afat të qarkullimit të automjeteve përgjatë këtij segmenti, duke krijuar kaos në lëvizjen nga dhe drejt juglindjes së vendit.

Prej orëve të para të mëngjesit, qindra drejtues automjetesh dhe pasagjerë kanë mbetur të bllokuar në rrugë, në pritje dhe me mungesë informacioni të qartë mbi alternativat e lëvizjes. Radha e gjatë e mjeteve është shtrirë në disa kilometra, ndërsa situata është shoqëruar me pasiguri dhe tension për udhëtarët.

Një drejtues automjeti, i cili po udhëtonte drejt Korçës, u shpreh se mungesa e orientimit ka rënduar më tej situatën. “Jemi nisur që në mëngjes drejt Korçës dhe kemi mbetur këtu pa asnjë informacion të qartë. Na thanë që rruga është mbyllur pa afat. Nuk dimë nga të kalojmë,” deklaroi ai.

Edhe familjarë me fëmijë kanë mbetur në pritje për orë të tëra. “Fëmijët janë lodhur, nuk kemi as ujë mjaftueshëm. Duhet një zgjidhje alternative sa më shpejt,” tha një tjetër shofer, që udhëtonte me familjen.

Të shqetësuar shprehen edhe drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë, të cilët paralajmërojnë pasoja ekonomike për shkak të vonesave. “Çdo orë vonesë për ne është kosto. Transportojmë mallra që duhet të dorëzohen brenda ditës,” u shpreh një prej tyre. Disa udhëtarë, përballë mungesës së qartësisë mbi zgjidhjen, kanë zgjedhur të lëvizin në këmbë drejt qytetit të Prrenjasit.

Sipas banorëve të zonës, problematika në segmentin “Arrat e Gurrës” ka qenë e pranishme prej javësh, ndërsa situata është përkeqësuar ditët e fundit, duke sjellë edhe vendimin për pezullimin e qarkullimit.

Ndërkohë, si rrugë alternative për mjetet e vogla është orientuar aksi Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh. Por edhe ky segment paraqet probleme serioze infrastrukturore. Gjatë ditës janë evidentuar plasaritje të thella në disa pjesë të rrugës, si dhe dëmtime në asfalt, çka e bën qarkullimin të vështirë dhe potencialisht të rrezikshëm.

Fluksi i shtuar i mjeteve, pas devijimit të trafikut, ka krijuar radhë të gjata edhe në këtë aks, i cili aktualisht mbetet e vetmja lidhje funksionale për qarkun e Korçës drejt Tiranës. Në këtë segment nuk lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë dhe autobusëve, duke e vështirësuar më tej situatën për transportin e mallrave dhe udhëtarëve.

Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur një afat për rihapjen e aksit të bllokuar, ndërsa drejtuesit e mjeteve vijojnë të përballen me pritje të gjata, devijime të detyruara dhe mungesë informacioni të detajuar mbi zhvillimet në terren. Situata mbetet dinamike, ndërsa kërkesat për një zgjidhje të shpejtë dhe informim më të qartë po shtohen. /Pamfleti

2 Komente

  1. X
    Xhovan

    Rruga Gramsh-Lozhan-Maliq-Korce, qe para 90, ka qene funksionale se gjithe drute e dimrit per qytetin e Korces, siguroheshin nga pyjet e Gramshit. nderrmarja komunale e Korces bente transportin e druve, me saurela e skoda ceke me turi. Kur ne ate kohe qarkullonin ato lloj mjetesh, aq me shume Skodagt me turi qe kishin tonazh te larte, po sot qe nga Banja e deri ne Moglice rruga eshte bere e re nga kompania e Hidrocentraleve Starchraft, si ka mundesi mos kalojne autobuzet e pasagjereve?

    1. T
      Teuta

      Xhovan, atëherë ishin inxhinierët e zotë në krye të punëve. Sot janë inxhinierit me kopje e me lekë, se ato të zotët ikën jashtë shtetit. Janë bërë inxhinieri disa marroçë që kanë qenë blozë me mësime.

    Lini një Përgjigje