
Dy përfaqësues të policisë së shtetit kanë zbarkuar në selinë blu, aty ku ndodhet edhe ish kryeministri Sali Berisha pas përfundimit të konferencës së jashtëzakonshme.
Genti Ndoi drejtor i krimit ekonomik financiar së bashku me ndihmësin e tij kanë ardhur në selinë blu për të kërkuar prova.
Mësohet se efektivët po marrin kontakt me drejtorin e kabinetit të Berishës për të komunikuar akuzat që rëndojnë mbi ish kryeministrin, konkretisht vendimin e Gjykatës së Posaçme për caktimin e masës së detyrimit të paraqitjes dhe bllokimin e pasaportës.
Berisha në cilësinë e të akuzuarit duhet të mbajë kontakte me Policinë e Shtetit dhe t’i dorëzojë atyre për llogari të SPAK pasaportën.
Gjykata e Posaçme ka caktuar mbrëmjen e sotme detyrim paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë shtetit për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Masa e sigurisë për ish-kryeministrin e vendit u dha në kuadër të hetimeve nga SPAK për privatizimin e kompleksit sportiv të klubit Partizani në kryeqytet.
Ish kryeministri akuzohet për veprat penale korrupsion pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash.
Gjithashtu, me kërkesë të SPAK për të njëjtën çështje, është arrestuar mbrëmjen sotme edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi si dhe është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” për biznesmenin Fatmir Bekteshi.
Malltezi dhe Bekteshi akuzohen për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Po ashtu, GJKKO ka vendosur sekuestro të disa prej pasurive të Malltezit.

Lini një Përgjigje