TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Tetor 2023, 21:53

U arrestua në Rinas, Jamarbër Malltezi mbërrin te Blloku i Sigurisë

Shkruar nga Pamfleti

U arrestua në Rinas, Jamarbër Malltezi mbërrin te Blloku i

Dhëndri i ish kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi ka mbërritur para pak momentesh në komisariatin e policisë pas arrestimit të tij në aeroportin e Rinasit disa orë më parë.

Malltezi mbërriti rreth orës 21: 40 është shoqëruar në Bllokun e Sigurisë në rrugën Mine Peza në Tiranë.

Malltezi akuzohet për pastrim parash, korrupsion pasiv si edhe fshehje pasurie lidhur me kompleksin Partizani.

Gjithashtu SPAK ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për biznesmenin Fatmir Bekteshi, bashkëpronar me Malltezit.

Malltezi dhe Bekteshi akuzohen për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Po ashtu, GJKKO ka vendosur sekuestro të disa prej pasurive të Malltezit.

Më 17 nëntor 2020, ish-kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka dorëzuar një kallëzim penal në SPAK, për privatizimin e kompleksit “Partizani”. Balla kishte ngritur akuzë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi dhëndrin e Sali Berishës, përfitues direkt i kësaj prone si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks. Një pronë  me rreth 10.000 m2, mu në qendër të Tiranës në vitin 2008 e prapa është privatizuar me një vlerë prej 100.000 dollarë.

Një dosje që ka në dorë Prokuroria e Posaçme është ajo e privatizimit të Klubit Partizani. Në këtë padi të bërë nga Balla akuzohen për shpërdorim detyre ish-kryeministri Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministri Arben Imami.

Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes që qëndronte këtu, jo shumë larg nga qendra e Tiranës, ku sot mund të shihni këtë grup me 17 kulla në Rrugën “Frosina Plaku”, tek Ish Fusha e aviacionit, qendra më të madhe sportive në zemër të kryeqytetit, me përmasa 26.000 metra katrorë, qe në fund u pagua vetëm 14.000 euro.

Në atë tokë sot janë ndërtuar dhe po ndërtohen ende dhjetëra kulla të kompleksit Magnet 1 dhe Magnet 2 që vlejnë 4.000 herë më shumë, nga të cilat Jamarber Malltezi, dhëndri i ”doktorit”, është bashkëpronar me mbi 40% të aksioneve. Një çështje e errët kjo, e cila prodhoi fitime prej dhjetëra miliona eurosh.

Kush janë përfituesit e kësaj afere?

“Strumbullari” kryesor duket se është Sali Berisha, në cilësinë e kryeministrit edhe pse nuk ka firmosur më dorën e tij, ka detyruar ministra dhe drejtorë për të kaluar pronën publike në duart e dhëndrit Jamarbër Malltezi.  Përfituesi kryesor është Jamarbër Malltezi, i cili nga trashëgimtar i pretenduar i 140 m2 tokë, arriti të merrte 35 % të sipërfaqes falë një marrëveshje suksesi me trashëgimtarët e tjerë, ku në këmbim të kthimit të pronës falë pushtetit të vjehrrit, do t’u merrte në këmbim sipërfaqen në fjalë. Mbi këtë pronë, Malltezi ngriti 19 kulla, me para që nuk u dihet burimi, në të cilat është pronar me 40 %.

Po ashtu,  kanë marrë pjesë dhe janë implikuar ish ministra të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Gazmend Oketa dhe Arben Imami, ish ministri i Financave, Ridvan Bode, ish ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ish presidenti Bamir Topi, ish-sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave Gjergji Lezha, ish-drejtori i Anti-korrupsionit në Kryeministri Oerd Bylykbashi, ish-inspektori i Anti-korrupsionit Ilir Kadiu.

Kjo çështje ka prodhuar zhurmë të madhe, akuza dhe debate nga të gjitha krahët e politikës, por tashmë SPAK duket se ka nisur “furishëm” nga puna duke ngritur akuza konkrete për individët e përfshirë në këtë aferë të dyshuar korruptive.

 

rinas jamarber malltezi komisariati i policise

Lini një Përgjigje