
Është mbajtur sot seanca e radhës në Apelin e Posaçëm për shqyrtimin e kërkesës së ish-kryeministrit Sali Berisha për të marrë pjesë në seancat plenare.
Seanca, ku të pranishëm ishin avokatët e ish-kryeministrit, përfundoi rreth orës 11:00, ndërkohë që në orën 15:30 pritet të jepet vendimi.
Avokati i tij Genc Gjolutaj njoftoi se SPAK kërkon që Berisha të trajtohet sipas ligjit të të paraburgosurve.
“Ju e dini që sot gjykimi ishte për kërkesën tonë që Berisha të futej në Kuvendin e Shqipërisë dhe ne paraqitëm pretendimin tonë. Ata nuk pranojnë në mënyrë në absolute. Ata duan që Berisha të trajtohet si i burgosur. Më me detaje. Kjo është strategjia e Edi Ramës që e ka stisur këtë çështje. Ju informoj në 15:30 pas vendimit”, tha ai.
Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie që nga data 30 dhjetor, nën akuzë për korrupsion pasiv në bashkëpunim për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, kërkon të marrë pjesë si deputet në seancat plenare në Kuvend.
Një muaj më parë Shkalla e parë e kësaj gjykate e ka refuzuar këtë kërkesë duke arsyetuar se ish-kryeministri duhet të qëndrojë në “arrest shtëpie”. Kjo kërkesë ishte rrëzuar më herët edhe nga SPAK.
Avokatët e Berishës argumentojnë se duke qenë se Berisha është deputet është e drejtë dhe detyrim kushtetues si person i zgjedhur nga sovrani, për të ushtruar të drejtat dhe liritë politike sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Lini një Përgjigje