TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Mars 2024, 11:05

Si i shpëtoi vettingut ish-gjyqtari Ilir Pashaj? Në janar u dënua për korrupsion

Shkruar nga Pamfleti

Si i shpëtoi vettingut ish-gjyqtari Ilir Pashaj? Në janar u dënua

Ilir Pashaj nuk shkon për herë të parë në SPAK dhe GJKKO pasi ndaj tij ka patur dhe dosje të tjera për korrupsion, madje për të cilat është dënuar.

Në janar 2024 Ilir Pashaj u dënua nga GJKKO me 1 vit e 4 muaj burg pasi mori rreth 400 mijë lekë ryshfet, për t’i ulur dënimin me 6 muaj të burgosurit Xhuliano Musai, i akuzuar për plagosje. Lekët do ia jepte ish-koleges së tij, gjyqtares së gjykatës së Elbasanit, Zamira Vyshka, e cila në këtë gjykim u dënua me 2 vite shërbim prove dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një periudhë 3 vjeçare.

Përgjimet dhe vëzhgimet e SPAK nxorën zbuluar gjyqtaren Zamira Vyshka dhe avokatin Ilir Pashaj të cilët u arrestuan në korrik 2022 për ryshfet dhe korrupsion në gjykatën e Elbasanit

Pashaj ka qenë gjyqtar i Elbasanit, pra koleg i ish-gjyqtares Zamira Vyshka, dhe në kohën që nisën proceset e Vetting-ut ndaj tij ai dha dorëheqjen.

Me 10.02,2017, KLD-ja, pasi mori kërkesën për dorëheqje, vendosi mbarimin e mandatit të tij si gjyqtar. Në këto rrethana, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në 2018 pushoi hetimet ndaj tij.

Në vitin 2015 Nasip Naço, në atë kohë  Ministër Drejtësie i kërkoi KLD-së, procedimin dhe shkarkimin e gjyqtarit Ilir Pashaj duke e akuzuar për shkelje shumë të rënda të disiplinës dhe mungesë absolute e arsyetimit në një vendim gjyqësor.

Tashmë SPAK e ka dërguar dosjen e ish-gjyqtarit për gjykim në GJKKO për korrupsion e fshehje pasurie.

Sipas SPAK Pashaj ka përfituar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të cilat janë produkt i veprës penale të korrupsionit. Rasti për të cilën i referohet SPAK ka të bëjë me një vendim që gjyqtari ka dhënë në 2009 për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për tituj ekzekutiv.

Si gjyqtar Pashaj duhej të bënte deklarimin periodik të pasurisë. Por ndër vite ai ka fshehur një automjet dhe nuk ka pasqyruar pasurinë e paluajtshme një apartament 104 metra katror e cila ishte e tij por e kishte regjistruar në emër të vjehrrit, shtetasit Sh. B.

SPAK thotë se Ilir Pashaj, është kujdesur që përfitimet e parrregullta të përfituara për shkak të detyrës së tij si gjyqtar t‘i maskojë në emër të të tjerëve (vjehrrit dhe kunatit), duke fshehur pronarin dhe burimin e vërtetë të këtyre pasurive.

ilir pashaj spak korrupsion

Lini një Përgjigje