I vetmi që është dënuar deri më sot është ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Ai u dënua sa për të larë gojën për fshehje pasurie
Bashkimi Europian e ka bërë edhe një herë të qartë se gjyqtarët dhe prokurorët që ngelin në veting duhet të përballen me drejtësinë. Këtë vit mbyllet procesi i rivlerësimit, por skandali është se të pothuajse gjithë “sheikët e drejtësisë” ja kanë hedhur paq. Jo vetëm që po shijojnë milionat e vëna nga korrupsioni, por kanë përfunduar avokatë e pedagogë, ndërsa disa të tjerë çdo mbrëmje ulen banaqeve televizive dhe bëjnë ekspertin e analistin.
Në Bruksel në datat 20-21 mars u zhvillua takimi i 15-të i Nënkomisionit për Drejtësi, Liri dhe Siguri ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë. KE ka dalë me një deklaratë dhe theksin e vë te hetimi i të ngelurve në veting.
“Komisioni vlerësoi progresin e vazhdueshëm në zbatimin e reformës në drejtësi. U theksua rëndësia e miratimit në kohë të masave të nevojshme të tranzicionit dhe përfundimi në kohë i procesit të rivlerësimit të përkohshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetingu) në apel, pa cenuar cilësinë e shqyrtimit gjyqësor, si dhe nevoja e referimit sistematik të çështjeve të vetingut me elemente kriminale në prokurori”, thekson Komisioni Europian.
Pra, emrat që kanë shkelur ligjin duhet të referohen në Prokurori. KPK ka referuar një numër shumë të ulët gjyqtarësh dhe prokurorësh. I vetmi që është dënuar deri më sot është ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Ai u dënua sa për të larë gojën për fshehje pasurie (6 muaj burgim konvertuar në shërbim prove), ndërsa gjithë të tjerët vijojnë normalisht jetën. Por jo vetëm kaq, pasi ata që janë shkarkur nga KPK, kanë ankimuar vendimin dhe përfitojnë gjysmë page pa bërë punë, derisa të merret vendim i formës së prerë nga Kolegji i Apelimit.
Sipas të dhënave të KPK, deri në fund të shkurtit janë shkarkuar nga detyra plot 249 persona. Ndërkohë kemi dhe 101 të tjerë që kanë dhënë dorëheqjet. Nga të gjitha këta, vetëm Dedaj përfundoi në gjykatë, “sheikët” e tjerë, edhe pse kanë miliona euro pasuri shijojnë luksin. Në çdo progres-raport kërkohet hetimi i tyre, por si prokuroritë, ashtu dhe KPK e injorojnë këtë kërkesë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje