TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Maj 2023, 17:19

Të shkarkuar, por marrin ende paga/ Të ngelurit në veting gërryejnë buxhetin, përfitojnë 414 mln lekë nga vonesat e KPA

Shkruar nga Pamfleti

Të shkarkuar, por marrin ende paga/ Të ngelurit në veting

Sipas raportit të KLGJ për vitin 2022, të siguruar nga “Pamfleti”, buxheti i shtetit ka pësuar një dëm prej 414 mln lekë të reja vetëm nga të shkarkuarit e vetingut.  

Reforma në drejtësi duket se po i kushton shumë buxhetit të shtetit. Prej më shumë se 6 vitesh sistemi ka hyrë në një reformim të thellë dhe sërish ka shumë probleme. Procesi më i fortë ishte vettingu, por duket se kostot po i paguajnë qytetarët.

Mazhoranca dhe opozita kur krijuan ligjin e vetingut, u dhanë një favor gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të shkarkoheshin, pasi ata përfitojnë 75 për qind të pagës deri sa të merret vendimi në Kolegjin e Posaçëm  të Apelimit. Pra, kushdo që shkarkohet, e apelon vendimin dhe ai paguhet edhe pse nuk shkon më në punë. Duhet theksuar se proceset në KPA zgjasin deri në dy vite dhe dëmet në buxhet janë të jashtëzakonshme për shkak të vonesave.

Kjo gjë pranohet nga vetë Këshilli i Lartë Gjyqësor. Sipas raportit për vitin 2022, të siguruar nga “Pamfleti”, buxheti i shtetit ka pësuar një dëm prej 414 mln lekë të reja vetëm nga të shkarkuarit e vetingut.  

Për sa i përket humbjeve nga sistemi si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar, vlen të theksohet se që nga fillimi i procesit rezultojnë 65 vendimmarrje të KPA-së, nga të cilat 22 vendimmarrje i përkasin vitit 2022. Nga fillimi i procesit të rivlerësimit kalimtar, me vendim të KPK-së janë shkarkuar nga detyra në total 126 gjyqtarë (magjistratë), me një efekt financiar 413,432,637 lekë deri në 31 dhjetor 2022. Ndërkohë që aktualisht rezultojnë 65 gjyqtarë (magjistratë) të shkarkuar nga detyra, me vendimmarrje KPK-je, të cilët presin zhvillimin e procesit në KPA, duke mbajtur ndërkohë statusin e gjyqtarit për shkak të pezullimit, por duke përfituar njëkohësisht sipas ligjit 75% të pagës. Efekti financiar aktual është prej 184,337,667 lekë”, shprehet KLGJ.

Të shkarkuar, por marrin ende paga/ Të ngelurit në veting
Raporti i KLGJ

Problemi tjetër është se nuk po plotësohen dot vendet vakante. Në dhjetor të vitit 2022, numri total i gjyqtarëve faktik në sistemin gjyqësor ishte 318 gjyqtarë, nga 408 të përcaktuar me dekret. Pra janë krijuar 90 vende bosh.

Ndërkohë një element tjetër që KLGJ nuk e thotë është se të shkarkuarit përveçse marrin paga si gjyqtarë, kanë hapur zyra avokatie dhe madje janë punësuar si pedagogë në Shkollën e Magjistraturë dhe universitete private. /Pamfleti

vetingu kpk kpa

Lini një Përgjigje