Familjarët e Fatmir Sulovarit dhe Leonard Thodhorit, të rrëmbyer dhe të zhdukur në 6 prill në Sarandës kanë protestuar sot para Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Vëllai i Fatmir Sulovarit, Gëzim Sulovari foli pas ballafaqimit të tij dhe të afërmve të Leonard Thodhorit me Muhamet Rrumbullakun. Vëllai u shpreh se do të ndërpriten protestat, por shtoi se kryepolici nuk u kishte dhënë shumë shpjegime. Familjarët thonë se kanë shpresë që të paktën të kërkojnë për trupat e tyre.
“Nuk na dhanë shpjegime, na thanë jemi në hetime. Tani të shpresojmë, ua kemi lënë në dorë policisë. Unë jam vëllai i madh i Fatmirit. Do e ndërpresim protestën pasi ja lamë në dorë policisë së Tiranës. Ai është zhdukur që nga data 6, s’kemi pasur probleme. S’kemi dyshime sepse s’kemi konflikte me askënd. Leonardin e ka pasur të njohur, nuk kanë qenë shok. Unë personalisht Leonardin nuk e kam njohur. S’e di s’flas dot se nuk di gjë për të. Dëgjuam fjalët e njerëzve se mund të jenë hedhur nëpër fshatrat ku përqendruam kërkimet. U nisëm me llafe Sarandë.”- tha i vëllai i Fatmir Sulovarit.
Një i afërm tjetër i Fatmir Sulovarit ka treguar bisedën e fundit me të. Ai tha se e shoqëroi atë natë dhe i kërkoi të shkonte me të, por Fatmir Sulovari iu ishte drejtuar: “Bëhu djali i mirë, kthehu në shtëpi”, ndërsa theksoi “Më ka mbetur peng ajo ndarje”.
I afërmi i 46-vjeçarit i kërkoi kryeministrit Edi Rama të reagojë.
“26 ditë të mos gjesh dot një trup njeriu, janë gjetur gjëra më të mëdha. Hajde çohu Edi Rama, hajde ta gjejmë, çohu lëviz karrigen, çohu o kryeministër, o gjumash. E mban të fshehtë thua kryeministri? E mban. S’ka pasur kurrë konflikt, se vëllai nuk i binte njeriu në qafë, e as nuk i binin. Ishalla nuk e kanë hedhur në ndonjë gropë, i lutem Zotit ta gjejmë. Jam tym, ishte shpirt njeriu. Nuk i bëri keq kujt. Jam personi i fundit që kam pasur kontakt me të, e kam çuar. E pyeta: A të vij edhe unë vëllai im?, “Jo”, më tha, “Ktheu në shtëpi”. Më ka mbetur peng ajo ndarje në ujë të ftohtë, “Bëhu djali i mirë, kthehu në shtëpi”, më tha. Uroj të jenë gjallë të dy, por me kërkimet që po bëjmë, s’kemi asnjë rezultat. Asnjë rrobë, telefon, portofol, çakmak, asnjë lloj shenje. Është për tu habitur. Dyshimet janë të forta, por përgjigjen s’po e marrim. Tek këta shpresojmë ne, tek policia. Po kërkojmë më shumë familjarët se sa policia. Duhet ndihma e shtetit, se s’bën. Merri dy qen kërkues.”-u shpreh ai.
Kush janë të zhdukurit?
1. Leonard Thodhori, 46 vjec i njohur si “Koçole”. I dënuar disa here. I dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent ne automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallezim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas per “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i perfshirë në trafik lëndësh narkotike.
2. Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjec. I dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar ne prill 2022 ne Lushnje, pasi ne mjetin e tij “BMË” X5 u gjet nje sasi cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.
Lini një Përgjigje