Grupet tradicionale kriminale vazhdojnë të ruajnë kontrollin pas dekadash dominimi. Familje të vjetra kriminale ende mbjellin frikë në pjesë të Londrës…
Burgjet në të gjithë bregdetin jugor të Anglisë tashmë janë të mbushura me të burgosur shqiptarë, nga Dorset dhe Devon deri në Hampshire dhe Sussex, pas depërtimit të bandave ballkanike që po terrorizojnë komunitetet lokale.
Statistikat e burgjeve, të siguruara nga Daily Mail, përmes një kërkese për informacion publik, tregojnë shkallën e ndikimit të shkelësve shqiptarë në botën kriminale britanike.
Bosët ballkanikë kanë ndërtuar dominim në botën e krimit duke përdorur lidhjet me kartelet kolumbiane për të siguruar kokainë me çmimet më të favorshme dhe duke ushtruar hakmarrje të dhunshme ndaj kujtdo që guxon t’i kundërshtojë.
Por tani ata po përballen me konkurrencë, ndërsa demografia e Mbretërisë së Bashkuar po ndryshon me shpejtësi, banda të reja po sfidojnë kontrollin shqiptar. Grupe të tjera kriminale nga Europa Lindore po zgjerohen drejt tregjeve kriminale ende të pashfrytëzuara, përfshirë resortet bregdetare dhe qytetet e vogla.
Oxfordshire, ku ndodhen zona të pasura të Cotswolds, mban më shumë shqiptarë në burgje se çdo qark tjetër jashtë Londrës dhe Kentit, sipas të dhënave nga burgjet e Anglisë dhe Uellsit. Ndërkohë, emigrantë të rinj, shpesh azilkërkues nga Afrika dhe Lindja e Mesme, po përpiqen të krijojnë ndikimin e tyre në tregun fitimprurës të krimit në Britani.
Megjithatë, në disa zona, grupet tradicionale kriminale vazhdojnë të ruajnë kontrollin pas dekadash dominimi. Familje të vjetra kriminale ende mbjellin frikë në pjesë të Londrës, pavarësisht rritjes së konkurrencës nga banda afrikane dhe karaibiane në Tottenham dhe Peckham, thonë ekspertët.
Familjet turke vazhdojnë të mbajnë pushtet në veri të Londrës, ndërsa bandat tamile vazhdojnë aktivitetin në Croydon, dekada pasi krijuan kontrollin atje. Po ashtu, banda indiane dhe pakistaneze të formuara në mesin e shekullit XX patrullojnë rrugët e Birminghamit me pak rivalë realë.
Qytete të tjera, si Liverpool dhe Glasgow, mbeten kryesisht të paprekura nga grupet kriminale të huaja dhe vazhdojnë të kontrollohen nga gangsterë britanikë.

Bandat shqiptare në Essex dhe Kent
Analiza e Daily Mail mbi statistikat e burgjeve tregon se ndikimi shqiptar në aktivitetin kriminal britanik është i konsiderueshëm: nga 7,590 të burgosur të huaj, 1,053 janë shqiptarë.
Pasi fituan terren fillimisht në Londrën lindore, shqiptarët u zgjeruan më tej drejt lindjes dhe tashmë 139 shqiptarë ndodhen në burgjet e Kentit. Këto përfshijnë HMP Maidstone, HMP Rochester, HMP Cookham Ëood, HMP East Sutton Park dhe burgjet e kompleksit Sheppey.
Një hetim i Daily Mail në dhjetor zbuloi se një shqiptar në këtë zonë drejtonte një rrjet që ndihmonte kriminelët të arratiseshin për 2,500 paund. Krimineli, i quajtur Alfons, i tha një gazetari të infiltruar se përdorte katër shoferë, të gjithë kosovaro-shqiptarë.
Ai më pas i dërgoi gazetarit vendtakimin në shërbimet Maidstone M20 në Kent, pika e fundit e ndalesës para tunelit të Eurotunelit drejt kontinentit. Ndërkohë, më shumë se një e treta e të burgosurve të huaj në burgun HMP Chelmsford në Essex janë shqiptarë.
Shqiptari Valentin Roci, i dëbuar më parë nga Britania, u rikthye me gomone dhe u arrestua sërish për shitje kokaine. Policia e ndaloi në Southend pasi drejtonte një Ford Mondeo me dritë frenimi të prishur. Gjatë kontrollit iu gjetën 1,195 paund cash, tetë doza kokaine dhe një dozë kanabisi.
Shqiptarët përbëjnë gjithashtu tre të katërtat e të burgosurve të huaj në Durham, një të tretën në Bedfordshire dhe një në tre në Sussex. Ata përfaqësojnë gjithashtu pjesë të konsiderueshme të të burgosurve në Hampshire, Suffolk, Devon, Cornëall dhe Lincolnshire.

Konkurrenca e re në Londër
Megjithatë, disa rajone kanë rezistuar ndaj ndikimit shqiptar falë rrjeteve tradicionale kriminale lokale.
Në Londër ndodhen 138 shqiptarë në burgje, përfshirë 45 në HMP Ëandsëorth dhe 26 në Wormwood Scrubs. Por artikulli thekson rritjen e bandave algjeriane të vjedhjeve të telefonave, të cilat tashmë dominojnë në City të Londrës.
Më shumë se gjysma e të burgosurve algjerianë në Britani ndodhen në Londër. Katër burgjet me numrin më të lartë të algjerianëve janë Wandsworth, Wormwood Scrubs, Thameside dhe Pentonville.
Pamje filmike treguan momentin kur hajduti algjerian Enzo Conticello vodhi çantën Givenchy të një drejtuesi kompanie uiski në një pub në Soho, pa e ditur se brenda ndodheshin një vezë Fabergé dhe një orë me vlerë 2 milionë paund.
Ai u dënua me dy vjet e tre muaj burg, ndërsa sendet e vjedhura nuk u gjetën kurrë. Artikulli përmend edhe emigrantë afganë, eritreas dhe sirianë të burgosur në Londër, duke e lidhur këtë me rritjen e pranisë së tyre në kryeqytet.
Një afgan, Samiullah Ahmadzai, publikonte video në TikTok nga burgu Wormwood Scrubs, ku shfaqte flamuj afganë të vizatuar në mur dhe ushqimet në qeli. Ai akuzohet për përfshirje në një rrjet trafikimi njerëzish dhe po përballet me procedura ekstradimi drejt Belgjikës.
Liverpool dhe Glasgow mbeten bastione lokale
Eksperti Simon Harding nga Qendra Kombëtare për Kërkime mbi Bandat deklaroi se Liverpool dhe Glasgoë vazhdojnë të kontrollohen kryesisht nga banda britanike ose irlandeze. Rreth 91 për qind e të burgosurve në HMP Altcourse dhe HMP Liverpool janë britanikë.
Harding tha se bandat shqiptare kanë dominuar tregtinë e kokainës në shumë pjesë të Britanisë, por nuk kanë arritur të depërtojnë në Liverpool. Ai theksoi se familjet tradicionale kriminale në Liverpool janë shumë të fuqishme dhe të organizuara prej dekadash.
Artikulli përmend gjithashtu grupin famëkeq “Huyton Firm”, i cili për dekada kontrolloi pjesë të Merseyside dhe kishte lidhje me kartelet ndërkombëtare të drogës.
Manchester po përballet gjithashtu me rritjen e grupeve kriminale nga Eritrea, Nigeria dhe Sudani. Burgjet e qytetit mbajnë 20 për qind të të burgosurve eritreas në Britani. Artikulli përmend raste përdhunimesh dhe tentative rrëmbimi që përfshijnë emigrantë nga Nigeria dhe Sudani.

Shqiptarët po zhvendosen drejt qyteteve bregdetare
Sipas raportit, konkurrenca në qytetet e mëdha po shtyn grupet shqiptare drejt zonave bregdetare të jugut të Anglisë.
Krimet seksuale dhe krimet e dhunshme janë rritur në Devon, Cornëall, Hampshire, Dorset dhe Sussex. Mbi 40 për qind e të burgosurve të huaj në burgjet e Dorset, Devon dhe Cornëall janë shqiptarë ose rumunë.
Artikulli përmend gjithashtu dy vëllezër shqiptarë, Klevis dhe Artur Hoxhosmani, të cilët sipas autoriteteve ndërtuan një perandori kokaine prej 335 milionë paundësh nga një lavazh makinash në Bournemouth.
Në Birmingham dhe rajonin West Midlands vazhdojnë të dominojnë banda me origjinë indiane, pakistaneze dhe karaibiane. Eksperti Simon Harding thotë se struktura etnike e lagjeve ndikon drejtpërdrejt në përbërjen e bandave kriminale.
Ai shton se rrjetet kriminale po bëhen gjithnjë më fleksibël dhe të lidhura përmes mediave sociale, duke krijuar aleanca mes grupeve të ndryshme etnike në qytete të ndryshme britanike. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje