
Avokati Arben Llangozi ka deklaruar se në përgjimet e “SkyEcc” është folur edhe për emrin e një prokuroreve të SPAK.
Në një intervistë për emisionin “Shqipëria Live”, në Top Chanel, Llangozi tha se bëhet fjalë për ndikimin që ish-kryeprokurori i SPAK, Arben Kraja ka pasur lidhur me dosjen e “Toyota Yaris”. Sipas Llangozit, ky i fundit ka ndikuar që këtë dosje t’ia heqë nga dora Prokurorisë së Tiranës fillimisht e më pas Altin Dumanit me qëllim që t’ua japë dy prokurorëve të tjerë.
E gjithë kjo lëvizje shprehte Llangozi, është përshkruar në përgjimet e Sky, të cilat rezultojnë njëlloj me veprimet e kryera më vonë.
“Dosja më e nxehtë në Prokurorinë e Posaçme që ka të bëjë me “ToytaYaris”, aty kemi të bëjmë me implikimin e një sërë funksionarësh të lartë të drejtësisë, të cilët veprimet dhe komunikimet që janë përdorur në aplikacionin “SKY”, përputhen me veprimet konkrete.
Pra në këtë dosje unë kam marrë informacion se ka dal edhe Prokurori i Përgjithshëm në përgjim, i cili ka ndikuar në Prokurorinë e Apelit për të hequr dorë një prokuror i Apelit nga ankimi që kishte bërë prokuroria e Tiranës.
Në përfundim fakti është që prokurori i Apelit ka hequr dorë nga akuza ashtu siç diskutohej në aplikacion. Pra, kjo meriton një hetim sepse është diskutuar edhe në komunikim. Njëkohësisht edhe zoti Kraja, i cili që ka qenë në cilësinë e titullarit të institucionit, ka hequr dosjen e “Toyota Yaris” nga hetimi që i kishte rënë me short Dumanit.
Dhe në bisedat e aplikacionit të “SkyEcc”, diskutohej që këta persona kishin ndikuar te zoti Kraja për të hequr dosjen dhe për t’ia kaluar dy prokurorëve të tjerë. Është diskutuar që kjo dosje do merret nga SPAK e do kalojë në prokurorinë e Tiranës.
Është hequr dosja nga dora e Dumanit dhe për këtë arsye Gjykata e Posaçme ka urdhëruar hetimin edhe kundrejt zotit Kraja. Por njëkohësisht edhe dy prokurorëve të çështjes, të cilët përputhen me komunikimet në “Sky Ecc” me veprimet konkrete që ata kanë kryer. Pra, unë mendoj se ka shumë persona të implikuar edhe pse nuk kanë qenë përdorues të aplikacionit SKy”, tha Llangozi.
Lini një Përgjigje