Banorët e Rrjollit kanë dalë sërish në protestë kundër ndërtimit të një resorti në tokat e tyre nga kompania “Gener 2”, duke pretenduar se pronat po u merren padrejtësisht. Prej rreth gjashtë javësh, ata vijojnë protestat dhe kërkojnë drejtësi, ndërsa më herët kanë protestuar edhe para Prokurorisë së Posaçme (SPAK), nga e cila kërkojnë të marrë në shqyrtim çështjen.
Gjatë protestës së fundit nuk munguan tensionet dhe përplasjet me forcat e policisë. Disa prej protestuesve akuzuan efektivët për ushtrim dhune, ndërsa disa banorë u shoqëruan në polici.
“O kriminela, policia e krimit. Hajduta. A keni turp apo nuk keni”, dëgjohen duke thënë disa nga protestuesit ndërsa përplasen me policinë.
Pavarësisht situatës së krijuar, banorët shprehen të vendosur të vijojnë protestat çdo ditë deri në ndërprerjen e punimeve për resortin, i cili sipas tyre cenon pronat dhe mjedisin e zonës.
Një nga banoret deklaroi se disa të rinj që morën pjesë në protestë janë dhunuar brenda furgonit të policisë. Ajo kërkoi që çështja të merret në dorë nga SPAK, ndërsa akuzoi edhe Prokurorinë e Shkodrës se nuk ka vepruar mbi denoncimet e banorëve.
Sipas saj, banorët po mbrojnë pronat e tyre dhe kërkojnë që institucionet shtetërore të ndërhyjnë për të hetuar pretendimet për falsifikim dokumentesh dhe për të dhënë drejtësi. Ajo paralajmëroi se banorët do të vazhdojnë protestën deri në zgjidhjen e çështjes dhe kthimin e tokave që, sipas tyre, u përkasin banorëve të Rrjollit.
“Uniformat blu janë treguar të padrejta, kanë kapur djemtë dhe i kanë futur në furgon dhe i kanë dhunuar. Nuk ka asnjë të drejtë që t’i dhunojë. I kanë hedhur si derrkucë. Ne do të vazhdojmë protestën deri në fund. Kjo tokë duhet t’u kthehet rrjellorëve. As një nga personat që mendon se mund ta marrin këtë tokë, të mos flejë i qetë se nuk ka për ta gëzuar. Shpresojmë që SPAK të marrë çështjen në dorë, Prokuroria e Shkodrës të mos flejë gjumë mbi dosjen tonë, por të japë drejtësi. Falsifikimet i ka në zyrë, ne jemi duke mbrotjru pronën tonë, jemi duke u keqtrajtuar në pronën tyre. Policia dhe shteti duhet t’u dalë për zot qytetarëve. Prokuroria e Shkodrës të hetojë dosjen sa më parë, mos lejo që të përkeqësohen gjërat në këtë vend. Ne jemi sulmuar nga policia dhe njerëzit e Fatmir Shpellzës. Prokuroria e Shkodrës do të jetë institucioni i parë përgjegjës nëse ndodh gjëja më minimale në Rrjoll.”, tha ajo.
Lini një Përgjigje