Tirana do të mirëpresë edhe këtë vit festimet për Ditën e Verës, një nga aktivitetet më të mëdha festive në kryeqytet. Bashkia e Tiranës ka njoftuar se në kuadër të organizimit të aktiviteteve do të ketë devijime dhe kufizime të qarkullimit të automjeteve në disa akse rrugore kryesore.
Sipas njoftimit zyrtar, devijimi i trafikut do të nisë nga ora 12:00 e datës 13 mars dhe do të zgjasë deri në orët e para të datës 15 mars. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe janë planifikuar një sërë aktivitetesh festive për të gjitha grupmoshat, të cilat do të nisin që në orët e para të ditës së 14 marsit dhe do të vijojnë deri pas mesnate.
Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka ndërmarrë masa për kufizimin e qarkullimit të automjeteve në zonat ku do të zhvillohen aktivitetet, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së festimeve dhe krijimin e hapësirave të sigurta për qytetarët.
Rrugët ku do të kufizohet qarkullimi
Sipas planit të publikuar, kufizimet e qarkullimit do të zbatohen në disa segmente rrugore dhe në orare të caktuara.
Nga data 13 mars, ora 22:00, deri më 14 mars, ora 18:00, do të bllokohet qarkullimi në disa segmente të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, përkatësisht:
Nga Ministria e Brendshme deri në fillim të ish “Hotel Dajti”;
Nga Ura e ish “Hotel Dajti” deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”;
Nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri në kryqëzimin me rrugën “Gjergj Filipi”;
Nga kryqëzimi me rrugën “Gjergj Filipi” deri në fillim të sheshit “Nënë Tereza”.
Ndërkohë, nga 13 mars, ora 12:00, deri më 15 mars, ora 02:00, do të kufizohet qarkullimi në:
Rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri te kryqëzimi me rrugën “Brigada VIII”;
Rrugën “Pjetër Bogdani”, nga kryqëzimi me rrugën “Sami Frashëri” deri te kryqëzimi me rrugën “Gjin Bue Shpata”.
Rrugët alternative të qarkullimit
Për të garantuar lëvizjen e automjeteve, përfshirë edhe mjetet e emergjencës dhe ato të Policisë së Shtetit, qarkullimi do të devijohet në disa rrugë alternative, si:
“Lek Dukagjini”
“Abdyl Frashëri”
“Papa Gjon Pali II”
“Sami Frashëri”
Bulevardi “Zhan D’Ark”
Bulevardi “Bajram Curri”
“Myslym Shyri”
“Abdi Toptani”.
Ndryshime edhe në linjat urbane
Ndryshime do të ketë edhe në itinerarin e disa linjave të transportit urban.
Linja nr.13 “Tirana e Re” dhe linja nr.2 “TEG – Sauk i Vjetër – Kopshti Zoologjik – Ish Stacioni i Trenit” do të devijojnë lëvizjen e tyre përmes sheshit “Willson” dhe bulevardit “Zogu I”.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë gjatë këtyre ditëve, për të shmangur trafikun dhe për të mundësuar zhvillimin normal të aktiviteteve festive në kryeqytet.
Lini një Përgjigje