TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Mars 2026, 13:13

Rruga e shkatërruar, banorët e Fushë-Milotit në protestë: Këtu të merret fryma në dimër e verë nga pluhurat

Shkruar nga Pamfleti
Rruga e shkatërruar, banorët e Fushë-Milotit në
Foto nga protesta e banorëve të Fushë-Milotit

Banorët e fshatit Fushë-Milot, në Kurbin, dolën në protestë për shkak të mungesës së infrastrukturës, duke bllokuar për disa minuta rrugën që lidh zonën me autostradën Lezhë-Milot.

Sipas tyre, segmenti rrugor me gjatësi rreth 2 kilometra është dëmtuar rëndë dhe është bërë pothuajse i pakalueshëm për shkak të gropave të shumta. Banorët fajësojnë për këtë situatë qarkullimin e mjeteve të tonazhit të rëndë që transportojnë inerte nga lumi Mat.

“Rruga nga Shullazi deri te nënkalimi i autostradës është shumë e dëmtuar. Këtu po hamë pluhur”, u shpreh një nga banorët.

Të tjerë theksuan se gjendja e rrugës është e papranueshme dhe kërkuan ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.

“Kjo rrugë është skandal, kërkojmë të shtrohet. Në dimër dhe verë mezi merret frymë nga pluhuri. I vetmi investim këtu është bërë para 25 vitesh, ndaj kërkojmë të merren masa për rikonstruksionin e saj”, thanë protestuesit.

Rruga që lidh aksin e vjetër me autostradën përdoret nga disa fshatra të Kurbinit dhe shërben gjithashtu si rrugë alternative për lehtësimin e trafikut gjatë sezonit veror. Megjithatë, gjatë pesë viteve të fundit ajo ka pësuar dëmtime të shumta dhe, sipas banorëve, pavarësisht ankesave dhe protestave të vazhdueshme, ende nuk është ndërhyrë për riparimin dhe mirëmbajtjen e saj.

Lini një Përgjigje