Drejtuesi i Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme anti-Korropsion.
Berberi u arrestua mbrëmjen e së mërkurës pasi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.
Nga SPAK ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar, por paraprakisht mësohet se tenderi që “dogji” Berberin është për mirëmbajtjen e serverëve të ARRSH-së. Dyshohet se në këtë tender ishte i përfshirë një i afërm i Berberit që ka përfituar. Megjithatë në listën e hetimeve janë tendera të tjerë të denoncuar në media dhe jo vetëm.
Ende nuk dihet nëse është arrestuar në zyrë, në shtëpi apo diku tjetër. Mbrëmjen e djeshme në media qarkulloi lajmi se Berberi dha dorëheqjen nga detyra. Më herët ka pasur kontrolle në zyrën e tij por edhe në shtëpi ku është raportuar se i janë sekuestruar qindra mijëra euro dhe sende të tjera me vlerë. Evis Berberit i janë sekuestruar gjithashtu telefoni, laptopi, etj.
SPAK ka nisur hetimet ndaj tij rreth dy javë më parë, për çështjen e shitjes së një kompanie në vitin 2018.
Dyshohet se bëhet fjalë për një transferim fiktiv të kompanisë me qëllim që Evis Berberi të shmangte konfliktin e interesit, pak para se të emërohej si këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Berberi u emërua në krye të ARRSH në qershor të vitit 2021, ndërsa ende nuk ka një vendim për drejtorin e ri.
Lini një Përgjigje