Një ditë pas dorëheqjes, ish-drejtori i ARRSH-së Evis Berberi ka rënë në pranga me urdhër të SPAK pasi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Mësohet se ka edhe persona të tjerë të arrestuar, ndërsa SPAK pritet të dalë me një njoftim zyrtar.
Berberit i janë gjetur në shtëpi shuma të mëdha parash dhe piktura të shtrenjta. Rreth dy javë më parë, SPAK ka nisur ndaj Berberit një hetim, për çështjen e shitjes së një kompanie në vitin 2018.
Mësohet se hetime kanë nisur dhe për aferat me rrugët. "Pamfleti" raportoi më herët se Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedim penal për Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe ka nisur hetimin për shkelje të barazisë në tendera dhe abuzime me tenderat.
Më 17 shkurt 2024, një ditë pas shembjes së rrugës “Korçë-Ersekë”, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion do të deklaronte nisjen e hetimit dhe regjistrimin e procedimit penal ndaj kompanive “A & E ENGINEERING” me aksionere Entela Çano dhe kompanisë “A.N.K” me pronar Agim Kola.
Akuzat ishin të qarta; Shpërdorim detyre, mashtrim me projektin e rrugës, mashtrim teknik, mashtrim e falsifikim me procesin e mbikëqyrjes së punimeve, kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, një ditë pas regjistrimit te procedimit penal dhe nisjes së hetimit ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve (ARRSH), Evis Berberi, Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, zbarkuan në 3 banesat e Drejtorit të Autoritetit Rrugor, duke sekuestruar dokumente, kompjuter, 2 telefona dhe 3 USB, ku besohet se ka prova dhe për afera me rrugët e tjera.
Por kush është ish-drejtori i ARSH, Evis Berberi, që riprojekton për herë të disatë të njëjtin studim?
Evis Berberi rezulton pronar me 20 për qind të kapitalit të firmës “DAAM shpk” nga 14 Shtatori 2018 deri më 31 Janar 2019.
Vetë Berberi prej vitesh ka qenë shumë pranë ministres Balluku, si kur ishte drejtues i Prokurimeve në ALBCONTROL në vitet 2013-2019 e më pas edhe Këshilltar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës apo drejtor i Agjencisë së Efiçencës së Energjisë, deri më Qershor 2021 kur kaloi në krye të Autoritetit të Rrugëve. Në gjithë këto poste Berberi është “kujdesur” që shumë fonde të shkojnë drejt kompanisë së tij private, “DAAM shpk”.
Sa para deklaron, Evis Berberi në pasurinë e tij?
Më 5 Mars 2019, Evis Berberi ka deklaruar pranë ILDPKI-së pagën nga pozicioni si administrator i shoqërisë “DAAM shpk”. Pagën nga pozicioni i punës si drejtues teknik pranë shoqërisë “Bvaal Engineering shpk”.
Një vit më pas, më 6 Mars 2020, si dhe në vitet në vazhdim, më 31 Mars 2021 dhe 09 Prill 2021, Evis Berberi ka deklaruar në ILDKPI pagën si këshilltar në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës. Pagë si anëtar Bordi në Institutin e Ndërtimit. Pagë si kryetar i Bordit të Albpetrol. Pagë si anëtar bordi në Autoritetin Portual Durrës.
Po kështu, rezultojnë edhe të ardhura të përfituara nga bashkëshortja si rezultat i kontratës së dhënies së tokës me qira e lidhur me kompaninë BANKERS.
Por, pavarësisht është deklaruar shitja e firmës së tij tregtare, në asnjë nga formularët e mësipërm nuk ekziston asnjë e dhënë për deklarimin e shitjes së kompanisë “Daam shpk”.
Për më tepër, lidhja me drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi me Valter Begajn nuk del vetëm te transaksioni i shitje-blerjes së kompanisë “B – VAAL ENG – 10”, që më vonë iu ndryshua emri në “DAAM”. Nga shtatori 2018-të, kur Evis Berberi bleu kompaninë e Begajt, ai ka punuar në të njëjtën zyrë me të.
Nga të dhënat e QKB-së, veç kompanisë “B-VAAL ENG-10”, Valter Begaj rezulton themelues dhe ende pronar i kompanisë tjetër “B-VAAL ENGINEERING”. Këtë kompani ai e ka themeluar më 28 gusht të 2017-s, tre muaj para se të themelonte kompaninë që më vonë bleu Evis Berberi. Ashtu si “B-VAAL ENG-10”, që ndryshoi emrin në “DAAM”, edhe B-VAAL ENGINEERING” e ndryshon emrin duke u bërë “NET-Group”.
Objekti i të dyja kompanive mbetet i njëjtë, ai i studimit, projektimit dhe supervizimit të veprave inxhinierike. Veç objektit, dy kompanitë rezultojnë me të njëjtën adresë identike. Kompania “NET-Group” e Valter Begajt, tre muaj pasi Evis Berberi u zgjodh drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, pra në gusht të 2021 fiton një tender me vlerë rreth 175 mln lek me TVSh për mbikëqyrjen e punimeve në Lotin 7 të Unazës së Madhe.
Veç kësaj, nga të dhënat e publikuara në Agjencinë e Prokurimeve Publike, kompania rezulton fituese edhe për mbikëqyrjen e tre projekteve në Bashkinë e Durrësit me një vlerë totale rreth 10 mln lek.
Berberi “gjurmë” dhe tek Unaza e Tiranës
Në 8 tetor 2021, kreu i ARRSH, Evis Berberi ka firmosur tenderin me vlerë 23 milionë euro për kompanitë ALKO-IMPEX dhe 2T, për ndërtimin e Unazës së jashtme të Tiranës, Loti 7.
Pronarët në letra të dy kompanive fituese janë Arbër Abazi dhe Artan Sako. Arbër Abazi është nipi i ish deputetit të PS, Sadri Abazi. Artan Sako është vëllai i ish-kreut të Gardës, Gramoz Sako.
Për të mbikëqyrur punimet e ALKO-IMPEX dhe 2T, për ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 7, Evis Berberi ka përzgjedhur në datën 10 nëntor 2021 si fituese e tenderit grupin e kompanive “NET-GROUP” dhe “ARABEL – STUDIO”.
Lini një Përgjigje