TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Korrik 2024, 16:45

Arrestimi i Beqajt dhe aferat e Krifcës, BE “shuplakë” qeverisë: Parandaloni vjedhjen e fondeve, ndryshe ndërhyjmë ne!

Shkruar nga Pamfleti
Arrestimi i Beqajt dhe aferat e Krifcës, BE “shuplakë”
Rama me ambasadorin e BE

Brukseli duket i irrituar me qeverinë, e cila nuk ka marrë masat për të frenuar vjedhjen e fondeve...

Delegacioni i Bashkimit Europian i ka dhënë një goditje të fortë qeverisë pas skandaleve të njëpasnjëshme që po shpërthejnë me fondet që jep Brukseli. Vetë OLAF zbuloi se janë përvetësuar 33 mln euro nga fondet IPARD, teksa SPAK ka zbuluar se përvetësime pati edhe nga Ilir Beqaj, kur drejtonte zyrën e fondeve të BE.

Zyra e BE në Tiranë ka deklaruar se nuk komenton hetimet e drejtësisë, mirëpo ka pasur një mesazh për qeverinë. Sipas saj, duhet që institucionet shtetërore të parandalojnë abuzimet. Pra me pak fjalë, i tërhiqet veshi Ramës që të marrë masa para se të hyjë në lojë drejtësia.

BE-ja nuk komenton mbi procedurat gjyqësore në vazhdimësi. Institucionet shqiptare janë të detyruara të kenë mekanizma efektivë të kontrollit financiar për të mbrojtur interesat financiare të BE-së", thuhet në reagim.

Në të kundërt, nëse institucionet shqiptare nuk marrin masa, në reagim thuhet se BE ka mjete dhe procedura në dispozicion për të mbrojtur interesat e veta financiare.

"Rol të rëndësishëm në këtë drejtim luajnë edhe institucionet e pavarura të drejtësisë. BE-ja ka mjete dhe procedura në dispozicion për të mbrojtur interesat e veta financiare, nëse është e nevojshme”, thuhet në reagimin e BE.

Edhe më herët Bashkimi Europian kanë lëshuar kritika, sidomos pas skandalit me fondet e IPARD. Disa herë kërkuan që dosja të hetohet nga autoritetet përgjegjëse dhe qeveria nuk e vuri ujin në zjarr.

Shqipëria duhet të përmirësojë bashkëpunimin e saj me Komisionin Evropian për hetimet. Në vitin 2022, raportoi 71 raste të parregullsive dhe mashtrimeve të dyshuara në programet IPA dhe IPARD. Megjithëse bashkëpunimi për hetimet është përmirësuar, Shqipëria ka nevojë për të rritur përpjekjet e saj në zhvillimin e një historie solide në bashkëpunimin në hetime, duke ofruar, ndër të tjera, ndihmë efektive operacionale për hetuesit nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), në mënyrë që ata të mund të kryejnë plotësisht detyrën e tyre në kryerjen e një -kontroll në vend në përputhje me Rregulloren (BE, Euratom) Nr 883/2013 dhe Rregulloren (KE, Euratom) Nr 2185/1996. Shqipëria duhet gjithashtu të vazhdojë përpjekjet e saj në zhvillimin e një historiku mbi raportimin e parregullsive”, thuhej në progres-raportin për Shqipërinë.

Lini një Përgjigje