TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Tetor 2025, 22:13

Alarmante/ 200 vendgrumbullime ilegale mbetjesh, burim ndotje dhe sëmundjesh; bashkitë pranojnë menaxhimin skandaloz

Shkruar nga Pamfleti

Alarmante/ 200 vendgrumbullime ilegale mbetjesh, burim ndotje dhe

Menaxhimi i mbetjeve është një nga sfidat më të mëdha mjedisore me të cilat përballet Shqipëria, duke e ekspozuar vendin përpara një katastrofe mjedisore.

Lumenj, përrenj, rrugë, qytete, fshatra apo dete janë mbushur me mbetje, që dëshmojnë se në këto tri dekadat e fundit politikat e ndjekura për pastrimin e vendit nuk kanë qenë të duhurat.

Përmes pamjeve, denoncimeve nga ekspertë e banorë, Inside Story ka dokumentuar gjendjen alarmante në vend depozitimet e shumë qyteteve.

“Shqipëria është një vend i pisët, edhe pse flasim për turizmin, shikojmë ato nismat njëherë në vit shumë demonstrative nga ana e institucioneve qendrore apo lokale që dalin edhe në nivel minsiterial mbledhin këto mbetje, por Shqipëria nuk pastrohet në një ditë. Duhet të jenë të vazhdueshme dhe mbi të gjitha të mos hedhin mbetje përsëri”, u shpreh eksperti i ekonomisë, Klodian Muço.

Në 37 raste, vend-depozitimet janë ndërtuar buzë lumenjve. Tre bashki në qarkun e Gjirokastrës i kanë vend-depozitimet buzë lumit Vjosa, që është shpallur park kombëtar, duke shkaktuar ndotje të mjedisit dhe lumenjve.

Sipas një raporti monitorimi për zbutjen e riskut të përgatitur nga Ministria e Mjedisit në vitin 2018, bashkitë trashëguan rreth 199 vend depozitime ilegale dhe jo-sanitare, një pjesë e të cilëve vijojnë të përdoren edhe sot, ndërsa një pjesë janë braktisur prej vitesh. Por, ato mbeten burim i rrezikshëm infeksionesh.

“Vetë institucionet që duhet të merren me menaxhimin e mbetjeve shpeshherë kanë krijuar venddepozitime ilegale dhe kjo është një kambanë alarmi. Ka qenë ndër vite dhe le të themi dëshpërimisht vazhdojmë të kemi vendepozotime ilegale, nuk po them për ato që janë miratuar por janë të pa-standardizuara por ka edhe venddepozitime që nuk figurojnë fare në listat e institucioneve por janë vatra të ndotjes së mjedisit”, u shpreh eksperti i mjedisit  Kristi Bashmilli.

Raporti citon se shpesh konstatohet që miratimi i vend grumbullimeve nuk ka kaluar në asnjë proces vlerësimi teknik, por thjesht administrativ. Bashkitë e gjendura para nevojave emergjente për menaxhimin dhe depozitimin e mbetjeve kanë miratuar me vendime Këshilli Bashkiak, parcela kryesisht prona publike të cilat kanë shërbyer për vite me radhë si vend depozitime të mbetjeve bashkiake.

Si rrjedhim, bashkitë nuk administrojnë asnjë dokumentacion teknik: studime gjeologjike, projekte teknike, leje ndërtimi apo mjedisore në lidhje me vend depozitimet që ndodhen në territorin e tyre.

“Landfillet sanitare që janë investuar kanë problematike, por më problematike është shtrirja e venddepozitimeve që nuk plotësojnë standardet për të qenë landfill sanitar dhe shpeshherë ato ndodhen buzë lumenjve ku edhe shtresat e zhavorrit krijojnë një filtrim të lartë duke ndotur ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore”, u shpreh eksperti i mjedisit, Kristi Bashmilli.

Duke u nisur nga kërkesat e bashkive, raporti ka përllogaritur se 44 vendgrumbullime duhen rehabilituar, 62 duhen mbyllur urgjentisht dhe 93 prej tyre duhen larguar. Kjo ndërhyrje është përllogaritur të kishte një kosto prej rreth 870 mln lekësh, pa përfshirë kostot e transportit të mbetjeve.

Por, kanë kaluar 7 vite nga miratimi i këtij raporti dhe dokumentimi i situatës së menaxhimit në vend dhe në terren nuk ka ndryshuar asgjë. Përballë kësaj situate, institucionet kanë “mbyllur sytë”, duke lejuar paligjshmërinë që po shkakton dëme të pakthyeshme në mjedis, në shëndetin e popullatës dhe në buxhetin e vendit.

Pamjet që ka mundur të sigurojë Inside Story dëshmojnë se Shqipëria vazhdon të notojë në mbeturina.

“Mjedisi është problemi ynë kryesor që askush prej nesh nuk do që ta zgjidhim. Shohim po ashtu edhe mbetje të vjetra, që kanë vite që nuk menaxhohen as nga autoritet lokale, por edhe të furnizuara nga ne njerëzit qoftë në zona të frekuentuara qoftë në zona më pak të vizituara që i gjen nëpër cepa, nëpër vrima muresh, shkëmbinj, qoshe lumenjsh, rrjedha fshatrash. Ti sot gjen në çdo mjedis mbetje si një shenjë e pakujdesisë sonë”, u shpreh ekspertja e mjedisit, Flora Xhemani Baba.

Ministria e Mjedisit thotë se disponojnë 10 studime fizibiliteti të hartuara në vitin 2022, sa i përket venddepozitimeve ilegale dhe josanitare. Bazuar në këto studime pjesë e investimeve do të jenë mbyllja/rehabilitimi i venddepozitimeve të pakontrolluara, zgjerimi me qeliza të reja, mbyllja e kapsulimi i qelizave ekzistuese.

Ndërhyrjet parashikohet të realizohen deri në vitin 2028 dhe do të sigurojnë përputhshmëri e plotë të tyre me standardet e Bashkimit Evropian.

Sipas Planit Kombëtar Sektorial për menaxhimin e mbetjeve urbane, i miratuar në vitin 2020 vendi është i ndarë në 10 zona të menaxhimit të mbetjeve dhe funksionojnë 7 landfille sanitare.

Ministria sqaron se tre zonat e mbetjeve: Berat, Dibër dhe Kukës në të cilat nuk ka landfille rajonale, janë në proces dizenjimi dhe më pas ndërtimi.

Një raport i Anketës Botërore të Riskut nga Lloyd’s Register Foundation e rendit Shqipërinë në listën e 10 vendeve më të këqija në botë për ndarjen e mbeturinave shtëpiake.

Sipas raportit, në Shqipëri ka pak struktura për të zbatuar ose stimuluar ndarjen dhe riciklimin. Çdo ndarje që bëhet është kryesisht informale.

Kosova renditet e treta në listën e vendeve ku njerëzit nuk i ndajnë mbeturinat shtëpiake para se t’i hedhin në koshat e mbeturinave, pas Bregut të Fildishtë dhe Gabonit. Mali i Zi dhe Shqipëria ndajnë vendin e nëntë në renditje, me rezultate pak më të mira se Togo, Kameruni, Benini, Liberia dhe Republika e Kongos.

Referuar të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve (AKEM), një agjenci e krijuar në vitin 2024, e cila ka për detyrë edhe të mbledhë nga pushteti lokal dhe të publikojë statistikat e mbetjeve, gjatë vitit të kaluar u gjeneruan 870 mijë tonë mbetje.

Megjithatë, jo e gjithë kjo sasi shkon në landfille. Vetë bashkitë pranojnë se një pjesë e tyre përfundon në natyrë. Sipas vjetarit statistikor të vitit 2023, në total 8% e mbetjeve nuk u menaxhuan. Kjo do të thotë se çdo vit, një sasi alarmante prej mbi 70 mijë tonë mbetje përhapen të lira në mjedis…

Referuar të dhënave nga vetë bashkitë, qarku me nivelin më të lartë të mbetjeve të pamenaxhuara ishte Gjirokastra me 29,3%, ndjekur nga Elbasani me 27,4% dhe Kukësi me 27,0% të totalit të mbetjeve të gjeneruara.

“Bashki të caktuara menaxhojnë 60 apo 70% të mbetjeve, praktikisht e pranojnë që jo të gjitha mbetjet i menaxhojnë; ka gjithmonë mbetje në natyrë, dhe ato janë të pamenaxhuara, duke dëmtuar jetën e qytetarëve”, u shpreh Klodian Muço, profesor i asociuar i ekonomisë politike.

Këtë shifër të ulët të menaxhimit të mbetjeve ekspertët e lidhin me mungesën e fondeve dhe dekurajimin e qytetarëve nga vetë politikat e gabuara të institucioneve.

“Qeveria shpenzon para për mjedisin, por një pjesë e mirë janë shpenzime operative, jo kapitale. Një pjesë e mirë shkojnë për paga punonjësish, shumë për turizmin, shkonin për pyjet, që hartoheshin plane menaxhimi; prodhojmë shumë dokumenta, shumë shkresa, dhe paratë na ikin te këto shkresa dhe nuk ngelen te investimi në terren”, u shpreh Klodian Muço, profesor i asociuar i ekonomisë politike.

“Në momentin që qytetarët detyrohen t’i ndajnë mbetjet dhe shkon i merr vetëm një makinë, krahas asaj që nuk marrim rezultatet e pritura nga skema që kemi aplikuar, kjo kthehet në mosbesim të qytetarëve. Nëse ne i çojmë mbetjet të padiferencuara, është një gabim, por nëse ne i mbledhim me makinë dhe i bëjmë bashkë, është një gabim më i rëndë se ai i pari, sepse është një gabim që bëhet nga vetë institucionet, dhe qytetarët do të jenë gjithmonë skeptikë”, u shpreh Kristi Bashmilli, ekspert mjedisi.

Ekspertët thonë se, ndonëse kemi firmosur një sërë marrëveshjesh dhe aktesh me qëllim që të reduktojmë mbetjet, të rrisim riciklimin që të bëhemi pjesë e BE-së, siç është Marrëveshja e Parisit, Traktati i Sofjes, Agjenda e Gjelbër 2030, Agjenda që deri në 2050 duhet të bëhemi zero karbon, sërish Shqipëria është shumë larg menaxhimit të duhur të mbetjeve.

“Kemi një sërë nismash dhe detyrimesh që kemi marrë, por jemi shumë mbrapa në këtë aspekt”, u shpreh Klodian Muço, profesor i asociuar i ekonomisë politike/.Inside Story

Lini një Përgjigje