
Avokati Arben Llangozi e ka cilësuar si një dështim punën e SPAK. I ftuar në podkastin “Të Pashoq” në kanalin e “Pamfletit’ në YouTube, ai komentoi raportimin e Altin Dumanit në Kuvend. Sipas tij, ka shumë ministra që duhej të ishin në masa sigurie, por SPAK mban në sirtar dosjet.
Si e patë raportimin e kreut të SPAK?
Unë pashë një dështim të këtij institucioni në hetimet në lidhje me korrupsionin në nivele të larta dhe në lidhje me raste të cilat duhet të ishin përpara përgjegjësive penale.
Çfarë të surprizoi më shumë?
Më surprizoi, nuk po merrem fare me Arubën sepse ato ngelën në kuadër thashethemesh. Por më surprizon, për shembull çështja McGonigal. Është një ndër çështjet që duhet të ishte vënë përpara përgjegjësisë; nuk ka pse të zvarriten me vite të tëra hetime të cilat janë për mendimin tim një dështim. Kemi rastin e aferave të ndryshme në bregdet, qoftë në Limionin e Sarandës, që kemi një hetim katër vite e gjysmë që fle në Prokurorinë e Posaçme. Kemi hetime të tjera në lidhje me ministren e Energjisë, që sërish kemi dështime dhe aq më tepër kemi të bëjmë dhe me shëndetësinë.
Janë këto afera të cilat jo vetëm se janë publikuar nga të gjitha mediat si skandalet më të mëdha që janë në vendin tonë, që duhet të ishin përpara përgjegjësisë personazhe dhe ministra të rëndësishëm të qeverive ndër vite. Aty ne kemi një heshtje. Mos harrojmë që Ogerta Manastirliu, që është kandidate për Bashkinë e Tiranës, është një ndër personat më të implikuar në aferën në shëndetësi, gjë që nuk është në vend.
Në vend që të ishte para kushteve të një paraburgimi, ajo promovohet duke u vënë në bashkinë më të madhe në vend. Janë një sërë ministrash që duhej të ishin para arrestit. SPAK ka bërë propagandë më shumë sesa punë korrekte.
Lini një Përgjigje