TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Janar 2025, 20:54

Afrimi i zgjedhjeve dhe gropa në buxhet, Rama i rikthehet legalizimit të kanabisit

Shkruar nga Pamfleti

Afrimi i zgjedhjeve dhe gropa në buxhet, Rama i rikthehet legalizimit

Pasi u mbajt për muaj me rradhë në sirtar, pa nxjerrë aktet nënligjore apo vendimet, lidhur me legalizimin e kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore, kur afron dita e zgjedhjeve, Qeveria miraton vendimin që përcakton rregullat. Tashmë ka mbetur që në një nga mbledhjet e ardhshme, publiku të mësojë se kush do të jetë ose jenë subjektet e liçensuara dhe ku ato do të ushtrojnë aktivitetin e tyre

Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, Qeveria ka miratuar një vendim që lidhet me sipërfaqet për kultivimin dhe përpunimit e kanabisit për qëllime mjekësore.

Në një kohë kur po shpërndan dy herë bonus për pensionistët brenda 6 muajve, kur deklaroi uljen e çmimit të energjisë, kur vijojnë pagesat për koncensionet, duket se Kryeministri ka menduar që gropën financiare që mund t’i krijohet në buxhet ta mbushë pikërisht me kanabisin.

Por jo vetëm kaq, duke qenë në prag të zgjedhjeve, liçensimi i kompanive në këtë kjo industri që aplikohet për herë të parë në Shqipëri, mund të përdoret pikërisht në funksion të procesit zgjedhor.

Vendimi i miratuar sot nga Qeveria përcakton standardet e planit të sigurisë dhe elementeve të mbrojtjes për sipërfaqen për kultivim dhe përpunim të bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore dhe rregullat e lëvizjes së automjeteve të dedikuara të transportit të lëndëve të para e të produkteve, që duhet të plotësojnë subjektet e licencuara.

Pasi u mbajt për muaj me rradhë në sirtar, pa nxjerrë aktet nënligjore apo vendimet, lidhur me legalizimin e kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore, kur afron dita e zgjedhjeve, Qeveria miraton vendimin që përcakton rregullat. Tashmë ka mbetur që në një nga mbledhjet e ardhshme, publiku të mësojë se kush do të jetë ose jenë subjektet e liçensuara dhe ku ato do të ushtrojnë aktivitetin e tyre.

Detajet nga Vendimi

Sipas vendimit, subjekti i licencuar në ambientet ku ushtrohet aktiviteti duhet të plotësojë standardet e mëposhtme:

 a) Ambientet duhet të jenë të monitoruara në vazhdimësi me sistem të kamerave ÇTV, i pajisur me reader të inkorporuar dhe sensorë lëvizjeje, me rezolucion të lartë, prej të paktën 1280 x 720, me rreze infra të kuqe, përfshirë hapësirën 20 metra jashtë rrethimit, e cila duhet të jetë e ndriçuar. Imazhet filmike të sistemit të kamerave duhet të ruhen të paktën për 90 ditë në NRV/Server dhe të paktën për një periudhë 1-vjeçare në memorie “Cloud” me vendndodhje në një nga vendet e BE-së;

b) Sistemi i kamerave ÇTV monitoron sipërfaqen, brenda dhe jashtë ambienteve të njësisë së prodhimit, duke u orientuar në mënyrë që të sigurohet identifikim i qartë dhe i sigurt i ambienteve dhe i të gjithë individëve që aksesojnë apo lëvizin brenda tyre apo në ambientet e jashtme pranë rrethimit;

c) Përdorimi i pajisjeve elektronike të teknologjisë së lartë, në funksion të sigurisë (detektorë, ura kontrolli);

ç)  Në varësi të vlerësimit të rrezikut dhe në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, lidhja e sinjalit të alarmit, në nivel qendror dhe/ose vendor, me sallat e komandimit/informacionit të Policisë së Shtetit;

d) Sipërfaqja ku ushtrohet aktiviteti ruhet 24 orë pa ndërprerje nga subjekti i ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike që përfshin dhe shërbim reagimi me grup verifikimi sinjalesh;

dh) Për rastet kur kultivimi kryhet në ambiente të hapura ose të mbrojtura rrethohet nga jashtë me mur betoni të qëndrueshëm me trashësi të paktën 25 (njëzet e pesë) cm dhe lartësi 4 m nga toka, mbi të cilin vendoset tel me gjemba;

e) Për rastet kur kultivimi kryhet në ambiente të mbyllura, muri i jashtëm i godinës duhet të jetë mur betoni i qëndrueshëm me trashësi të paktën 25 cm;

ë)  Hyrja në ambientet e njësisë është e kufizuar dhe mundësohet përmes një porte hekuri që garanton aksesin vetëm për personat dhe mjetet e autorizuara, si dhe monitorohet nga sistemi i kamerave ÇTV, të përcaktuara në shkronjën “a” të kësaj pike;

f) Porta e hyrjes kontrollohet nga personel i autorizuar për sigurinë, i cili mban evidencë për çdo hyrje-dalje të personave, automjeteve dhe mallrave;

g) Materialet teknike, të cilat garantojnë sigurinë dhe monitorimin, vendosen në një dhomë të veçantë të dedikuar brenda perimetrit të sipërfaqes ku ushtrohet aktiviteti, në të cilën ka akses vetëm personeli përgjegjës për sigurinë.

Gjithashtu përcaktohen rregullat që duhet të ndiqen nga subjekti i licencuar për lidhjen e marrëveshjes për ruajtjen dhe sigurinë fizike, si dhe lëvizjen e automjeteve të dedikuara të tregtimit të lëndëve të para dhe produkteve janë, si më poshtë vijon:

 a) Transporti i bimës, nënprodukteve dhe produkteve të saj duhet të kryhet me mjete të mbyllura që sigurojnë që ato të mos jenë të dukshme ose të identifikueshme nga jashtë automjetit dhe duhet të shoqërohen me procesverbalin përkatës për sasinë dhe llojin e produktit që transportohet.

b) Transporti i bimës, nënprodukteve dhe produkteve të saj të destinuara për përdorim mjekësor, të prodhuara nga bima e cannabis-it nga prodhuesi i licencuar, duhet të bëhet me mjete transporti të tilla që të sigurojnë ruajtjen e barit në temperatura as më të larta e as më të ulëta sesa ajo që thuhet në etiketim ose fletudhëzuesin e barit.

c) Subjekti i licencuar duhet të sigurojë që automjeti i transportit të jetë i mbyllur, i vulosur dhe i pajisur me GPS, me qëllim monitorimin pa ndërprerje të lëvizjes nga origjina në destinacion dhe të ketë kamera që monitorojnë materialin që transportohet, si dhe të ruhet dhe të shoqërohet nga shërbim i sigurisë deri në/nga pika e kalimit të kufirit sipas parashikimeve në marrëveshjen e lidhur mes palëve.

ç) Çdo lëvizje apo transportim kryhet vetëm pas marrjes së autorizimit nga Agjencia e cila miraton dhe datën e propozuar të lëvizjes apo transportit, sipas formatit të miratuar nga kjo e fundit.

d) Në çdo rast, për çdo lëvizje, transportim të farërave, fidanëve, lëndës së parë, të bimës së cannabis-it mjekësor, nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të saj dhe mbetjeve/produkteve që asgjësohen nga një vend në një vend tjetër, subjekti i licencuar është i detyruar të njoftojë, të paktën 5 (pesë) ditë para lëvizjes së planifikuar, përmes Regjistrit Kombëtar të aktiviteteve të licencuara dhe të lejuara të bimës së cannabis-it dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Njoftimi përmban informacion lidhur me oraret e lëvizjes, intenerarin përkatës, të dhënat për çdo mjet që bën transportin, si dhe punonjësit e shërbimit që shoqërojnë ngarkesën.

dh) Subjekti i licencuar i garanton Agjencisë akses të pakufizuar dhe në kohë reale në sistemin e kamerave që monitorojnë të gjitha ambientet e njësisë, si dhe sistemin e kamerave që monitorojnë transportin e çdo materiali të lidhur me cannabis-in mjekësor, si dhe në imazhet filmike të ruajtura.

e) Procedurat doganore të eksportimit mund të kryhen pranë zyrave doganore kufitare të daljes nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë, ku kryhen edhe kontrollet për sigurinë e mbrojtjen dhe, sipas rastit, këto procedura mund të fillojnë në zyrat doganore të brendshme kompetente për territorin ku janë vendosur ambientet e kultivimit dhe të përfundojë në zyrat doganore kufitare të daljes nga territori, në përputhje me legjislacionin doganor që rregullon procedurat e eksportit të mallrave. Subjekti i licencuar është i detyruar të njoftojë, të paktën 5 (pesë) ditë para procedurës doganore të import/eksportit Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. /Pamfleti

Lini një Përgjigje