Është shtyrë për në 12 shtator seanca paraprake e “Sterilizimit” për shkak të mungesës së një avokati.
Për herë të parë në sallë, ish ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj, i arrestuar për hetimet që po kryhen për SASPAC, u shpreh se aktet e sjella në gjykim përmbajnë të pavërteta.
Ish-ministri u shfaq nervozuar mbasi ka kundërshtuar hetimet e SPAK.
Ai kërkoi të bënte një deklaratë për aktet procedurale që lidhen me hetimin tjetër të dosjes SASPAC, dhe ky reagim i ish-funksionarit vjen dy ditë pasi në një banesë që dyshohet se i përket dhe që ishte marrë me qira në Vlorë, BKH ushtroi kontrolle.
Në dosjen hetimore të SPAK nënvizohet një tablo e qartë se si, Beqaj, shkeli me dy këmbë procedurën konçesionare, vetëm në interes të veçantë që fitimin e shërbimit 100 milion euro, t’ia jepte në dhjetor 2015 miqve të tij, Ilir Rrapaj dhe italianit, Umbro Staçini.
Me ritjen e numrit të operacioneve u ritën dhe kostot në buxhetin e shtetit. Kurse për kompaninë konçesionare “Sani Service” u rritën përfitimet.
Shkeljet e konstatuara nga SPAK
Hetimet për koncesionin e sterilizimit janë kryer nga prokurorët Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi, ndërsa SPAK akuzon për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj.
Prokuroria thotë se në dhënien e koncesionit të akuzuarit nuk kanë respektuar ligjin dhe kanë shpërdorur detyrën ndërkohë që sipas akuzës Ilir Beqaj ka pasur njohje dhe miqësi të fortë me biznesmenin Ilir Rrapaj. Ndër gjetjet e konstatuara nga SPAK janë edhe procedurat e ndjekura për fituesin por dhe mos realizimi i kushteve të parashikuara në kontratë. Ndërsa sipas SPAK, kostot e sterilizimit janë rritur në mënyrë fiktive.
Roli i Klodian Rrjepajt
Sipas SPAK, rezulton e provuar se ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncesionit, është personi i cili ka kryer të gjitha veprimet e përllogaritjeve financiare për sterilizimin, të cilat i ka ndryshuar disa herë me qëllim që të ishin në vlera të pranueshme nga Ministria e Financave, me qëllim miratimin e koncesionit.
“Në veprimet e përllogaritjeve financiare rezulton plotësisht e provuar se numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është raportuar i rremë në këto dokumente, që janë paraqitur Ministrisë së Financave. Gjithashtu në këta tregues financiar, me qëllim uljen e normës së IRR dhe NPV, i pandehuri Klodian Rjepaj, ka shtuar si zëra të kostove të shërbimit në kohëzgjatjen e koncesionit, mirëmbajtje të instrumenteve, të sistemeve dhe centralit të sterilizimit, në vlera disa herë më të larta se vlera e blerjes së tyre të reja”, thotë SPAK.
Rrjepaj ka bashkëpunuar ngushtë me biznesmeni Ilir Rrapaj gjatë periudhës përgatitore të projektit, procedurën e tenderimit dhe dhënies së koncesionit deri në firmosjen e kontratës, me qëllim shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë, ku pjesëmarrës me 40% është subjekti tregtar “Investital Llc”, i vetë Rrjepajt.
Ndërkohë që një muaj më parë u vendos sekuestro edhe ndaj dy kompanive të Rrapajt disa aksione të tij në një shoqëri tjetër tregtare, llogari bankare me vlerë 295 mijë euro, 13 makina e apartament në Vlorë.
Kostot fiktive
Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është raportuar i rremë, janë shtuar zëra të kostove të shërbimit në kohëzgjatjen e koncesionit, mirëmbajtje të instrumenteve, të sistemeve dhe centralit të sterilizimit, në vlera disa herë më të larta se vlera e blerjes së tyre të reja.
SPAK thotë se janë përdorur kosto të rreme të shërbimi në QSUT për vitin 2013, duke vendosur vlerat e barnave dhe medikamenteve mjekësore, që nuk janë pjesë e këtij shërbimi. Kjo kosto është rritur dhe mbivlerësuar në mënyrë të rreme në masën 56.4%.
Akuzat e ngritura nga SPAK
Ish ministri Beqaj akuzohet se ka miratuar kontratën koncensionare të sterilizimit në kundërshtim me ligjin, duke u akuzuar kështu për “shpërdorim detyre” bashkë me ish-zvministrin Rrjepaj.
Lini një Përgjigje