Kreu i SPAK, Altin Dumani u pyet nga gazetarët gjatë takimit informal, lidhur me pasuritë e politikanëve jashtë Shqipërisë.
Dumani thotë se SPAK ka patur indicie të tilla për të cilat ka dërguar letërporosi. Megjithatë ende nuk ka gjë konkrete të ndonjë pasurie të sekuestruar apo konfiskuar jashtë.
'Kemi patur indicie kemi nisur letërporosi, por nuk kemi ndonjë rast konkret që të kemi sekuestruar apo konfiskuar ndonjë pasuri jashtë.', tha ai.
I pyetur në lidhje me arrestimet e politikanëve, emrat e të cilëve mund të kenë dalë nga komunikimet në “Sky ECC”, Dumani ka thënë se një prej tyre është në qeli referuar ish-deputetit Jurgis Çyrbja.
Kreu i SPAK ka shtuar se nuk kanë në dispozicion të gjithë databazën e “Sky ECC”, por në vijimësi do të kërkojnë kode të tjera në bazë të hetimeve që ata kanë.
'Nuk është e vërtetë që s’ka arrestime të politikanëve, pasi kemi ish-deputetin Jurgis Çyrbja të arrestuar. Ne nuk kemi në dispozicion të gjithë databazën e “Sky ECC”, në vijimësi ne kërkojmë kode të tjera kur na dalin në bazë të hetimeve që kemi. Në bazë të rezultateve të deritanishme nuk na ka dalë lidhja direkte.', u shpreh Dumani.
Më tej, kreu i SPAK është shprehur se përpiqen që komunikimet në “Sky ECC” t’i lidhin me prova të tjera.
'Ne si institucion jemi të vëmendshëm që të ndajmë provën nga thashethemi, duke u përpjekur që të jemi sa më objektiv. Tashmë kemi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje, ne po presim vendimin e arsyetuar për të parë argumentat. Në përpiqemi që të mos kemi në dispozicion vetëm komunikimet në “Sky ECC”, por t’i lidhim ato edhe me prova të tjera. Ju garantoj që në momentin që konstatohet kushdo person, e kemi prova do të marrim vendimet tona.', deklaroi kreu i Prokurosisë së Posaçme.
Lini një Përgjigje