TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Shkurt 2026, 18:21

A ishte mbyllja e TikTok-ut, thjesht manovër për të përgjuar shqiptarët?

Shkruar nga Pamfleti
A ishte mbyllja e TikTok-ut, thjesht manovër për të përgjuar
Rama dhe manovra me TikTok

A do t’i largojë tani Rama pajisjet DOI që përgjojnë shqiptarët?

Qeveria është tërhequr nga vendimi për mbylljen e TikTok-ut.

Ndalimi i aksesit në rrjetin social u miratua pas vrasjes së Martin Canit pranë shkollës, ndonëse rasti nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me platformën. Pas 1 viti, aksesi do të rikthehet dhe sot ekzekutivi ka dhënë një shpjegim zyrtar për masën e ndërmarrë dhe për heqjen e saj.

Sipas deklarimit të qeverisë, vendimi i Këshillit të Ministrave në mars 2025 u mor si masë parandaluese për mbrojtjen e interesit publik dhe për adresimin e shqetësimeve të ngritura në atë periudhë.

Ekzekutivi pretendon se ndalimi shërbeu edhe për të hapur një dialog me kompaninë TikTok dhe për të vendosur mekanizma të rinj sigurie.

Masa e miratuar nga Këshilli i Ministrave në mars 2025 u konceptua dhe u zbatua si një ndërhyrje parandaluese. Ajo shërbeu për të hapur një dialog të drejtpërdrejtë me platformën dhe për të vendosur bazat e mekanizmave të rinj të sigurisë”, thuhet në reagimin zyrtar të qeverisë, ku theksohet se tashmë autoritetet shqiptare janë në partneritet me TikTok për filtra mbrojtës, kontroll përmbajtjeje dhe mekanizma raportimi.

Megjithatë, përtej këtij justifikimi, mbyllja e TikTok ka ngritur dyshime për një qëllim tjetër. Për të realizuar bllokimin e platformës, qeveria instaloi shtatë pajisje DPI (Deep Packet Inspection) pranë kompanive të shpërndarjes së internetit. Vendosja e këtyre pajisjeve shkaktoi reagime publike dhe shqetësime serioze, pasi DPI konsiderohet teknologji që mund të përdoret për përgjim dhe mbikëqyrje masive të komunikimeve online.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike pranoi se pajisjet DPI ishin marrë me qira nga Izraeli për një periudhë njëvjeçare. Me heqjen e ndalimit të TikTok, mbetet e paqartë nëse këto pajisje do të çmontohen apo do të vijojnë të qëndrojnë aktive në infrastrukturën e internetit shqiptar.

Këto zhvillime marrin një tjetër dimension pas raportimeve të mediave izraelite se Shqipëria pritet të ndërtojë qendrën e saj të parë të madhe të të dhënave, përmes një investimi prej rreth 100 milionë eurosh nga kompania izraelite ADC. Projekti parashikon që një pjesë e konsiderueshme e infrastrukturës së të dhënave të administrohet nga një kompani e huaj.

Sipas medias izraelite “Globes”, qendra e të dhënave do të ndërtohet në një zonë të tregtisë së lirë pranë Tiranës, do të bazohet në procesorë grafikë Nvidia dhe do të ketë një kapacitet fillestar prej 32 megavatësh, me mundësi zgjerimi deri në 100 megavat. Kompania ADC zotërohet kryesisht nga Happy Technologies, një kompani kibernetike me pronarë izraelitë, si dhe nga kompania konsulente DIT.

Në këtë kontekst, shqetësimet për sigurinë e të dhënave dhe privatësinë e qytetarëve shtohen, veçanërisht kur lidhen me përdorimin e teknologjive si DPI.

DPI është një teknologji që lejon inspektimin jo vetëm të të dhënave teknike të paketave të internetit, por edhe të përmbajtjes së tyre. Ajo mund të identifikojë trafikun, aplikacionet e përdorura, të bllokojë ose ridrejtojë të dhëna në kohë reale dhe të monitorojë sjelljen e përdoruesve në mënyrë të detajuar.

Zyrtarisht, DPI argumentohet si mjet për sigurinë kibernetike. Por organizata dhe ekspertë të të drejtave të njeriut paralajmërojnë se e njëjta teknologji mund të përdoret për censurë, përgjim dhe mbikëqyrje masive.

Në mungesë të një sqarimi zyrtar, mbeten të hapura disa pyetje thelbësore: a ishte mbyllja e TikTok një masë e përkohshme sigurie apo një justifikim për instalimin e pajisjeve DPI? Dhe a do të largohen këto pajisje tani që ndalimi është hequr, apo do të vijojnë të funksionojnë në heshtje? /Pamfleti

 

tiktok rama dpi

Lini një Përgjigje