
Në GJKKO mbahet sot seanca e rradhës paraprake ndaj ish-Presidentit Ilir Meta, i cili prej më shumë se 1 viti ndodhet në paraburgim, si dhe Monika Kryemadhit, ish-bashkëshortes së tij, ndaj së cilës është në fuqi masa “detyrim paraqitje”.
Kryemadhi u paraqit në GJKKO pak përpara nisjes së seancës paraprake, ku do të vlerësohet nëse dosja do të kalojë ose jo për shqyrtim në Gjykatën Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Nga ana tjetër, avokati i kreut të Partisë së Lirisë, Kujtim Cakrani, iu drejtua shkurt gazetarëve duke thënë: “Shihem pas seancës”.
Në seancat e mëparshme, GJKKO ka urdhëruar më herët SPAK që ish-presidentit t'i vendoset në dispozicion një pjesë e akteve.
SPAK mbylli hetimet më 28 korrik ndaj ish-Presidentit dhe ish-bashkëshortes së tij, Kryemadhi, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit. Në dosjen e SPAK përfshihen hetimet lidhur me çështjen e CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash e mosdeklarim pasurie.
Gjithashtu në dosjen e SPAK akuza janë ngritur edhe për Pirro Xhixhon, i cili akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.
Lini një Përgjigje