
“Pamfleti” e ka paralajmëruar prej muajsh këtë manovër politike, përpjekjen e Ramës për të kapur SPAK-un, për ta bërë të “menaxhueshëm” dhe të kontrollueshëm.
Njëjtë si ajo shprehja popullore; “kalova lumin, të dhj*fsha kalin”, Partia Socialiste pasi siguroi 83 mandate në zgjedhjet e 11 majit, me premtimin se nuk do të preknin SPAK-un, nuk ka humbur kohë për të treguar qëllimet e saj të fshehta për të shtënë në dorë Strukturën e Posaçme.
Kjo u vu re edhe nga “përplasja” e sotme mes kreut të SPAK Altin Dumani dhe ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja lidhur me propozimet nga Këshilli i Ministrave për ngritjen e një strukture të re për kontrollin e Prokurorisë së Posaçme. Dumani u shpreh se SPAK është tashmë subjekt i mbikëqyrjes nga KLP e ILD dhe se krijimi i strukturave të reja do të rrezikonte të sillte një mbingarkesë burokratike.
Por duke qenë se propozimet e tij hasën kundërshtinë e Dumanit, Manja i dërgoi një “mesazh” kreut të SPAK-ut pas mbledhjes, duke ia bërë të qartë se ndryshimet do të ndodhin me ose pa pëlqimin e tyre.
Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, Manja, sigurisht me bekimin e “Bablokut”, tha se rekomandimet e Këshillit të Ministrave, të përmbledhura në një fjalie, ishin “perfekte”.
“Rekomandimet tona janë të qarta: më shumë efikasitet, më shumë transparencë, më shumë përgjegjshmëri dhe mbi të gjitha, më shumë besim nga qytetarët”, shkruan ndër të tjera Manja.
Duke vijuar me fjalët e bukura pavarësi, kushte optimale dhe transparencë, Manja e dha mesazhin e tij të qartë, SPAK tashmë është i rrethuar. Ironia është se, në emër të pavarësisë, po ngrihen mekanizma kontrolli politik.
Ky është vetëm kapitulli i parë i betejës së gjatë për fatin e SPAK-ut; një betejë që do të vendosë nëse drejtësia në Shqipëri do të qëndrojë në këmbë apo do të bjerë në gjunjë para politikës së vjetër.
“Pamfleti” e ka paralajmëruar prej muajsh këtë manovër politike, përpjekjen e Ramës për të kapur SPAK-un, për ta bërë të “menaxhueshëm” dhe të kontrollueshëm. Sot, skenari nisi të zbatohet me përpjekjen për të ngritur një tjetër “strukturë mbikëqyrëse” mbi SPAK-un./Pamfleti
Lini një Përgjigje