
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka paralajmëruar reshje të dendura shiu dhe shtrëngata në veri-perëndim të vendit. Sot në Shkodër dhe Lezhë ka pasur reshje të konsiderueshme shiu dhe duket se kjo situatë do të vijojë. Për këtë arsye janë marrë masa nga Ministria e Mbrojtjes për të parandaluar përmbytjet.
“Në vijim të parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak dhe Institutit të Gjeoshkencave, në tre ditët e ardhshme pritet të ketë reshje shiu me intensitet mesatar, i cili në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës do të shoqërohet me shtrëngata.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Ministria e Mbrojtjes janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe në komunikim të ngushtë me pushtetin vendor dhe strukturat qendrore të sistemit të mbrojtjes civile për të rritur gatishmërinë sipas nevojës.
Gjithashtu, Forcat e Armatosura janë në gatishmëri me mjete dhe pajisje të nevojshme për të ndërhyrë në rast emergjence.
Një thirrje u drejtohet qytetarëve të qarqeve Lezhë dhe Shkodër që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të bashkëpunojnë me institucionet për çdo situatë të mundshme”, njofton Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.


Lini një Përgjigje