
Teksa sot janë bërë fiks 15 vite nga ngjarja e “21 Janarit”, ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi deklaroi se nuk ka vullnet për zbardhjen e kësaj tragjedie.
Në një intervistë për emisonin “Të Pashoq”, Prençi theksoi se asnjëra nga palët politike në vend nuk ka interes që çështja e “21 Janarit” të zbardhet me themel. Sipas tij, kjo ngjarje përdoret poltikisht sa herë që vjen data 21 Janar, por nuk bëhet asgjë më tepër për ta zbardhur atë.
Pjesë nga intervista:
-E nisim nga 21 janari. Unë e thashë në parantezë, asgjë e re përderisa nuk kemi një lajm final nga ana e drejtësisë, sikurse e presin edhe familjarët e katër viktimave të 21 janarit 2011. Por kemi vetëm paralajmërime, hamendësime, perceptime, akuza, kundër-akuza e të tjera si këto që i kemi parë në çdo 21 janar. Ku jemi?
Shemsi Prençi: E di, nëpërmjet valëve të podcast-it tuaj, të katër familjeve iu shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta. Iu kam shprehur çdo vit dhe do të vazhdoj t'ua shpreh ngushëllimet sepse realisht janë katër të pafajshëm. Në aspektin e hedhjes dritë për këtë ngjarje dhe për të gjitha ngjarjet politike në Shqipëri, është mjerim se askush nuk është i interesuar për t'u zbardhur e vërteta. Unë në datën 21 janar 2011 kam patur detyrën e drejtorit të Forcave Speciale të Ministrisë së Brendshme, ose siç njihen ligjërisht Forcat Lëvizëse Operacionale, por për opinionin publik që quhen Forcat Speciale. Në të cilat bëjnë pjesë forcat speciale dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë, forcat anti-eksploziv, helikopterët dhe reparti snajperist.
-E në këtë drejtim edhe ju besoj keni pasur pritshmëri për t'u thirrur si dëshmitar në SPAK?
Shemsi Prençi: Absolutisht po, por kurrë as në hetimet e para dhe as të dytat, as nuk jam përfshirë në listën e dëshmitarëve edhe pse unë kam qenë një pjesë e menaxhimit të të tërës në datën 21 janar 2011. Ku qëndron problemi dhe përse? Kot e fundit, ish-kryeministri i asaj kohe është shprehur që 21 janari është vrasje shtetërore. Pra, i janë dashur disa vite që ai të bindet se në të vërtetë disa segmente të shtetit që ai drejtonte në atë kohë nuk ishin të tijat. Ishin të mbushura me kolonat e pesta brenda sistemit të Gardës së Republikës dhe të Policisë së Shtetit, të cilët hodhën në kurth jo vetëm Policinë e Shtetit, por hodhën gjithë institucionet shtetërore në datën 21 janar. Ç'është e vërteta, ne kemi patur një takim shumë të rëndësishëm dy ditë para se sa të ndodhte ngjarja... jo ngjarja, kryengritja e armatosur. Sepse unë nuk e kam quajtur protestë. Pas ngjarjeve të vitit 1991 dhe të '97-ës, mund të them që ngjarja e vitit 2011, pra 21 janar 2011, i kalonte protestën. E kalonte protestën, ishte një kryengritje, për faktin sepse kishte parapërgatitje. Ne kishim informacion...
-Çfarë do të thotë parapërgatitje?
Shemsi Prençi: Shiko, Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, sektori për hetimin e krimeve dhe parandalimin e krimeve, kishin informacione të klasifikuara që pjesë nga opozita shqiptare e asaj kohe, eksponentë, deputetë të Partisë Socialiste, nën drejtimin e liderit të opozitës së asaj kohe, ishin përgatitur me sende të forta dhe armë dhe mjete dhune për të ardhur në të ashtuquajturën protestë. Dhe madje, madje informacioni përmbante që kishte njerëz, deputetë, që kishin marrë angazhime zona të caktuar dhe ishin në garë njëri me tjetrin se kush do sillte më shumë njerëz të fortë në thonjëza, të armatosur, të pajisur me sende të forta për të vepruar kundër institucioneve shtetërore. Unë kam parasysh vetëm diçka, që Policia e Shtetit, këtë e them me përgjegjësi të plotë, Policia e Shtetit dhe strukturat e Forcave Lëvizëse Operacionale në datën 21 janar, nuk kanë patur në përdorim qoftë edhe njëri prej strukturave të ketë patur armë zjarri. Me përjashtim të një skuadre të kimisë që ka patur shotgun për hedhjen e lëndëve lakrimogjene, e lëndëve tymuese. Dhe në mënyrë kategorike nuk ka patur armatim. Kjo është e shprehur në raportin e dy institucioneve monitoruese të Policisë së Shtetit Shqiptar, PAMECA dhe ICITAP, të cilët kanë qenë prezentë edhe përpara se sa të ndodhte ngjarja, po edhe pas, edhe gjatë, edhe pas, të cilët kanë hartuar një raport të hollësishëm dhe e kanë konsideruar menaxhimin nga strukturat e policisë një menaxhim të pëlqyeshëm, të pranueshëm...
Lini një Përgjigje