
Hoxha tha se e gjithë ngjarja ku u vranë 4 persona ndodhi për 7 sekonda dhe nëse do të kishte vazhduar, do ishte bërë masakër.
Gazetari Artan Hoxha ka dalë nga ambientet e SPAK pas pothuajse tre orësh marrje në pyetje.
Pas daljes nga SPAK, Hoxha është ndalur në një pronocim për gazetarët teksa ka deklaruar se është pyetur nga prokurorët e posaçëm si person në dijeni për dosjen e 21-janarit.
Hoxha tha se u pyet në lidhje me kastën e shumëpërfolur të komunikimit mes punonjësve të gardës. Ai u shpreh se materiali përmban komunikimet që janë bërë para vrasjes, gjatë vrasjes dhe pas vrasjeve. Sipas gazetarit, komunikimi mes tyre është shumë i ftohtë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Hoxha tha se e gjithë ngjarja ku u vranë 4 persona ndodhi për 7 sekonda dhe nëse do të kishte vazhduar, do ishte bërë masakër. Ai shton se komunikimi është regjistruar me diktofon nga dikush që kishte akses në kanalin e komunikimit mes zyrtarëve të lartë.
“Është një audioregjistrim ku janë urdhrat e komandantit të Gardës para se të ndodhnin vrasjet, gjatë vrasjes dhe pas vrasjes. Dëgjohen të gjitha komunikimet në radio, është kanali ku kanë përdorur drejtuesit e Gardës.
Përmes kësaj kasete bëhet e qartë që jo vetëm ka pasur komunikim, por komunikime mes drejtuesve të gardës, është një komunikim rutinë që bëhet mes tyre, është një material 34 minuta. Janë komunikimet në momentin e vrasjeve. Momenti që kanë fiksuar njerëzit kur ndodhi vrasjet, është vetëm 7 sekonda. Brenda 7 sekonda jepet urdhri për të hapur zjarr dhe në sekondën e 7 jepet urdhri të ndalohet. Aty dalin edhe drejtues të lartë të shtetit që kanë komunikuar me drejtuesit e Gardës. Prokuroria do vlerësojë vlefshmërinë e këtij materiali dhe për cfarë do ti shërbejë atyre.
Aty është bërë e qartë, që vrasjet jo vetëm që kanë qenë me urdhër, por urdhri ka ardhur nga lart dhe urdhri është dhënë me gjakftohtësinë më të madhe. Urdhri është dhënë për të qëlluar dhe urdhri tjetër ka ardhur për të ndaluar. Nëse të shtënat do të kishin zgjatur më shumë se 7 sekonda aty do kishte ndodhur një masakër, jo se nuk ndodhi masakra, por nëse do të kishin zgjatur 30 sekonda do ishte bërë nami”, tha Hoxha.
Sipas gazetarit, kjo është mundësia e fundit për të zbardhur tragjedinë e 21 janarit.
“Për mua, nëse nuk zbardhet as këtë radhë, nuk ka për t’u zbardhur më. Provat u prishën që në momentin që ndodhi ngjarja. SPAK tani është më ndryshe, e ka ma të lehtë të thërrasë zyrtarë të lartë. Kam identifikuar dy të tjerë që nuk kanë qenë pjesë e Gardës, por kjo u përket hetimeve”, tha ai.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka thirrur për të dëshmuar gazetarin Artan Hoxha në lidhje me hetimin e “21 Janarit” në cilësinë e personit që ka dijeni.
Ai pritet të dorëzojë në këtë prokurori audio-përgjimin e marrë nga komunikimi në radio mes Gardës së Republikës së Shqipërisë më 11 janar 2011.
Qëllimi final i gjithë kësaj lëvizjeje është për të marrë një përgjigje se kush e dha urdhrin për të qëlluar në drejtim të protestuesve, ku si pasojë katër persona humbën jetën.
Ky audio-përgjim i përfituar mes pjesëtarëve të Gardës dhe vartësve të tyre është bërë publik për mediat prej gati një viti, por nuk është dorëzuar në autoritete, pasi vetë familjarët e Aleks Nikës kanë kërkuar që ky material të dorëzohet vetëm në SPAK.
Lini një Përgjigje